Boltoni shkruan se si këshilltarët talleshin pas shpine me Trumpin

E publikuar: 18/06/2020 09:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dje Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur procedurat gjyqësore ndaj ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, për t’ia pamundësuar publikimin e librit që ka të bëjë me punën e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ky libër i Boltonit, përmban shumë sekrete.

Siç njofton gazeta prestigjioze The New York Times, në librin e tij të ri, John R. Bolton, përshkruan disa raste kur presidenti kërkoi të ndalojë hetime kriminale. Ai gjithashtu thotë se besnikët e presidentit Donald Trump, talleshin me të pas shpinës.

Boltoni ishte Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të presidentit Trump për 17 muaj me radhë. Në librin e tij, Boltoni përshkruan disa raste ku sipas tij, presidenti Trump shpreh gatishmëri për të ndaluar disa hetime kriminale, siç shkruan ai, “për t’iu dhënë favorizime personale diktatorëve që i pëlqyen”, duke përfshirë emra të firmave të mëdha në Kinë e Turqi. Boltoni thotë se shqetësimet e tij i kishte raportuar te Prokurori i Përgjithshëm, William P. Barr.

Boltoni gjithashtu shkruan për një akuzë, siç tregon ai, lidhur me mënyrën se si Trumpi në mënyrë të hapur flet për negociatat tarifore me Kinën, duke i kërkuar presidentit Xi Jinping të blejë produkte bujqësore amerikane duke ndihmuar kësisoj atë të fitojë vota në zgjedhje tek shtetet që kanë të zhvilluar bujqësinë në SHBA.

Libri “The Room Where It Happened” është paraparë që të publikohet më 23 qershor. Por, kundërshtimin e tij Trumpi e ka arsyetuar me pretendimin se çdo bisedë me presidentin është sekrete.

Libri, u sigurua nga The New York Times para botimit të planifikuar për të martën e ardhshme dhe tashmë, siç raporton gazeta prestigjioze, pritet të jetë libri më i shitur ndonjëherë.

Bolton, tutje në libër shkruan se “z.Trump nuk dukej se e dinte, për shembull, se Britania ishte një fuqi bërthamore dhe pyeti nëse Finlanda ishte pjesë e Rusisë”.

“Presidenti kurrë nuk u lodh duke sulmuar liderët aleatë dhe iu afrua shumë tërheqjes së SHBA-së nga NATO”, thotë tutje Boltoni në librin e tij.

E për shumë udhëheqës autoritarë, shkruan Boltoni, tek citon Trumpin të ketë thënë për ta se “këta njerëz duhet të ekzekutohen”.

Boltoni madje shkruan edhe për këshilltarët e lartë të Trumpit.

Tregon se si pas shpinës së Trumpit, “ata talleshin me të”.

Shumë analistë kanë deklaruar se tentimet e Trumpit për bllokimin e librit do të jenë të kota, transmeton Front Online.

Në muajin janar, Shtëpia e Bardhë kishte bërë të ditur se libri përmban hollësi shumë sekrete që duhet të hiqen, mirëpo këtë gjë e ka kundërshtuar Boltoni. Ai ka thënë se ka gatishmëri për të dëshmuar, pavarësisht urdhrit të presidentit që ndihmësit e tij të mos bashkëpunojnë me gjyqin.

Trumpi pati shkarkuar Boltonin nga pozita që kishte në shtator të vitit të kaluar, pavarësisht pse për 17 muaj i ka dhënë qasje të pashembullt në planet ditore të Shtëpisë së Bardhë. Shtëpia botuese, Simon and Schuster, e ka përshkruar përmbajtjen si “libër që Donald Trump nuk dëshiron që ju ta lexoni”.

Sipas skriptës së publikuar nga shtëpia botuese, Boltoni e përshkruan administratën Trump si kaotike.