Boksieri Jarrell Miller ndërhyn në skenë për t’u konfrontuar verbalisht me Anthony Joshuan në New York

E publikuar: 18/07/2018 02:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anthony Joshua është përfshirë në një konfrontim të urryer me Jarrell Miller, gjatë daljes ballë për ballë me sfiduesin për titullin e botës, Alexander Povetkin, në një eveniment në New York.

Miller, një boksier amerikan i peshave të rënda, ka ndërhyrë në skenë gjatë kohës kur Joshua pozonte për fotografët, në prezantimin e duelit ndaj boksierit rus që do të zhvillohet në muajin shtator.

Derisa britaniku qëndronte me titujt e tij, IBF, WBA dhe WBO, në duar, Miller hyri në skenë dhe në atë çast nisi një zënkë verbale mes tyre.

Pasi kanë shkëmbyer disa fjalë me njëri-tjetrin, ka ndërhyrë sigurimi për t’i ndarë.

“Njerëzit flasin për mua, pastaj më shohin ballë për ballë, ndërsa vazhdojnë të flasin. Unë i mbroj titujt e mi në ring, jam i përkushtuar dhe nuk do ta toleroj as jashtë ringut. Unë e mbroj pozitën time. Këtë e bëjmë si boksierë”.

“Të gjithë janë të mirëseardhur ta provojnë. Fillimisht, do të fokusohem te Povetkini, por kurrë nuk i dihet se çfarë do të sjellë e ardhmja”, ka deklaruar Joshua pas largimit nga skena.

Joshua dhe Povetkin do të përballen në muajin shtator në stadiumin Wembley. Boksieri rus u bë sfidues i detyrueshëm i AJ nga WBA, pas triumfit kundër David Price. /Telegrafi/