Blockchain-i përtej Bitcoin-it

E publikuar: 19/03/2018 13:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koncepti Blockchain është shumë më i gjerë se sa ai i Bitcoin. Mendohet se Blockchain do të ndryshojë plotësisht mënyrën se si jetojmë duke filluar që nga procesi i votimit, shëndetësia, muzika e deri tek prodhimi i energjisë. Më poshtë po listojmë disa nga aspektet ku prezenca e Blockchain po ndihet dita ditës:

Procesi i votimit

Një Blockchain jep mundësinë e verifikimit të transaksioneve pa qenë nevoja e menaxhimit ose garantimit të tyre nga një autoritet qendror. Kutitë e votimit dhe platformat e votimit online që përdoren aktualisht janë subjekt i vazhdueshëm i manipulimeve, por, tani, me anë të një startupi Follow my Vote po zhvillohet një sistem i bazuar në blockchain për ruajtjen e sigurisë dhe transparencës e gjithashtu për të pasur rezultate sa më të sakta.

Prodhimi i energjisë

Blockchain u jep mundësinë individëve të cilët blejnë energji ta rishesin atë me anë të një pajisjeje apo të menaxhojnë sahatet e tyre në mënyrë të pavarur. Në New York, po implementohet një projekt nga Lo3Energy ku banorët mund të blejnë dhe shesin energjinë që kanë përfituar nga panelet diellore me çmimin që e përcaktojnë vetë ata, pa nevojën e komisioneve dhe pengesave të tjera.

Muzika

Jeni të lodhur nga Spotify? Bëhuni gati të ndryshoni mënyrën se si dëgjoni muzikë duke kaluar në një shërbim blockchain për muzikën në streaming. Në vend të Apple Music apo Spotify, një sistem blockchain i quajtur Voise u jep mundësinë artistëve të vendosin vetë çmimin e këngëve dhe të përfitojnë 100% të vlerës në rast se një përdorues dëgjon muzikën e tyre.

Shëndetësia

Kartelat mjekësore të pacientëve, shpesh janë të shpërndara në klinika, spitale e laboratorë të ndryshëm. Tani, me anë të një sistemi blockchain do të jetë e mundur që kartela e një pacienti të aksesohet nga pozicione të ndryshme e të ndryshohet apo modifikohet duke u shoqëruar me një shënim se nga kush është bërë ky ndryshim. Në MIT po zhvillohet një sistem i tillë I quajtur MedRec i cili do të integrohet me programet aktuale të shëndetësisë.

Ndihma sociale

Në vitin 2012, sekretari i pëgjithshëm i kohës, Ban Ki-moon, deklaroi se 30% e ndihmës për zhvillim që jepej nga Kombet e Bashkuara humbiste si pasojë e korrupsionit. Tani, Kombet e Bashkuara kanë një sistem blockchain i cili zgjidh çështjet e mënyrës se si bëhet shpërndarja e fondeve. Vitin e kaluar, emigrantëve sirianë në një kamp jordanez iu dhanë ndihma në formën e kriptomonedhave në mënyrë që pasi bënin blerje në supermarkete, identiteti i tyre njihej nga skanime të irisit të syrit dhe shpenzimet e bëra hiqeshin nga shuma e ndihmës që u jepej. Kjo mënyrë shkurton kostot e transaksioneve pë Kombet e Bashkuara dhe gjithashtu ul probabilitetin e vjedhjes dhe korrupsionit. /PCWorld Albanian