Blenë “minorenin” nga Vélez, “Citizens” u shpëtojnë ndëshkimit?

E publikuar: 17/04/2018 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Manchester City beson se i ka shpëtuar një ndëshkimi të rëndë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, me fitoren e mundshme në seancën për firmën me një futbollist argjentinas të talentuar.

Vendosja nën kontratë e adoleshentit Benjamin Garré detyroi Vélez Sarsfield që ta çonte çështjen në FIFA, duke denoncuar “Qytetarët” se kishin joshur lojtarin kur ishte minoren.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, që ka analizuar rastin, do të japë një vendim zyrtar më vonë këtë javë, por burime pranë klubit kampion të Anglisë bëjnë të ditur se fitorja anon në anën e klubit të fuqishëm financiar.

Manchester City mundi të gjithë konkurrentët për firmën me Garré në vitin 2016, kur protagonisti ishte 16 vjeç. Por, ka një linjë të hollë mes asaj që quhet negociatë dhe firmës në kontratë.

Argjentinasit këmbëngulin se negociatat nisën kur Garré ishte 15 vjeç. Mesfushori teknik ka një pasaportë italiane, që e lejon të transferohet ende pa mbushur 18 vjeç, një çëshjtje që e mori në dorë CAS, me sa duket në favor të Manchester Cityt.

Më parë, skuadra të tjera të njohura në futbollin europian, si Barcelona, Real Madrid dhe Atletico, janë dënuar dhe iu është bllokuar merkatoja për çështje të tilla.