Blatter: Masa më të ashpra kundër racizmit

E publikuar: 08/04/2015 09:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nevojiten masa të reja dhe më të ashpra në luftën kundër racizmit.

Nevojiten masa të reja dhe më të ashpra në luftën kundër racizmit. I këtij mendimi është presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter. Nga kongresi i Konfederatës Afrikane të Futbollit, zvicerani deklaroi se sanksionet monetare nuk po japin efekt, ndaj duhen përdorur opsione të tjera. Për Blatter, brenda kuadrit të rregullave, klubet mund të ndëshkohen me heqje pikësh ose me zbritje një kategori më poshtë nëse racizmi do të vazhdojë.

“Statutet e federatave na lejojnë që të jemi më të ashpër nëse do të jetë e nevojshme. Nuk mund të ketë ndëshkime vetëm me gjoba apo mbyllje stadiumesh. Sipas rregullave, në rastin më të keq një skuadër mund të ndëshkohet edhe me rënie nga kategoria. Këto masa duhen aplikuar për të patur sukses në luftën kundër fenomenit të racizmit”.

Në të njëjtën kohë, shefi i qeverisë botërore të futbollit foli edhe për rezolutën e Federatës Palestineze, që kërkon pezullimin e Izraelit nga FIFA. Blatter tha se do të bisedojë me palën palestineze që të tërhiqet nga një nismë e tillë para se të zhvillohet kongresi i FIFA-s në muajin Maj. Palestinezët kanë kërkuar pezullimin e Izraelit me pretendimin se po pengohen në ushtrimin e aktiviteteve të tyre futbollistike në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor.