Blake Griffin realizoi 50 pikë në fitoren e Detroitit kundër Philadelphias

E publikuar: 24/10/2018 08:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbrëmë janë zhvilluar vetëm tre ndeshje në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

Ndeshja më interesante ishte mes Detroit Pistons dhe Philadelphia 76ers, ku fituesi u vendos në sekondat e fundit të kohës shtesë prej pesë mintuash.

Blake Griffin ishte heroi i skuadrës së Pistons, kur mori përgjegjësinë që të finalizojë sulmin e fundit të skuadrës, e cila rezultoi të jetë vendim i suksesshëm.

Ndeshja u karakterizua me mbrojtje të forta dhe herë pas here me sulme atraktive, ku fituesi nuk u përcaktua gjatë kohës së rregullt.

Blake ishte enigmë e pazgjidhur për kundërshtarin dhe i pandalshëm në fitoren e Detroit, duke realizuar ‘double-double’ fantastik prej 50 pikëve dhe 14 kërcimeve. Ai u ndihmua edhe nga Reggie Jackson që shtoi 23 pikë e dy më pak i realizoi Ish Smith. Theksojmë këto ishin rekord pikë për basketbollistin amerikan, Griffin.

Te skuadra e Philadelphias më i miri në parket ishte Joel Embiid, i cili regjistroi ‘double-double’ me 33 pikë dhe 11 kërcime. Lojë të mirë shfaqi edhe JJ Redick, ku arriti të shënoi 30 pikë, por që nuk ishin tëp mjaftueshme për të shmangur humbjen.

Pas kësaj, Pistons kanë bilanc të qind për qindt prej tre fitoreve dhe asnjë humbje gjersa për 76ers kjo ishte humbja e dytë dhe kanë po aq fitore.

Në takimin e radhës, Detroit do të luajë kundër Cleveland Cavaliers gjersa Philadelphia do të ballafaqohet me Millwaukee Bucks. /Telegrafi/

Rezultatet tjera:

Pelicans 116-109 Clippers

Nuggets 126-112 Kings