Biznesmenit e deputetit të PDK-së s’po i pëlqejnë politikat doganore

E publikuar: 04/10/2015 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dogana e Republikës së Kosovës, si institucion kryesor për mbushjen e arkës së shtetit në emër të luftimit të informalitetit në shumicën e rasteve po bëjnë rritjen e çmimeve edhe për biznese formale.

Kështu tha për “KosovaPress”, biznesmeni e deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Ramiz Kelmendi. Ai po ashtu tha se kjo formë e ngritjes së çmimeve “ad hock” pa koncept dhe pa arsyetim është shumë e dëmshme për qytetarët. Ndërsa përfaqësues të doganave pranojnë se ankesat kryesore të bizneseve lidhen me vlerësimin e mallrave.

“Doganat e Republikës së Kosovës në emër të luftimit të informalitetit në shumicën e rasteve po bëjnë rritjen e çmimeve edhe për biznese formale. Realisht ta japin përshtypjen që më shumë po e luftojnë formalitetin se sa informalitetin. Është e vërtet që informaliteti në Kosovë është i madh dhe njëri prej elementeve që e lufton informalitetin është doganat e Republikës së Kosovës. Nuk është mirë që të bëhet ngritja e çmimeve në funksion të mbushjes së arkës së shtetit. Shteti ka mekanizma të tjerë të vetë që mund në ç’do kohë në ç’do moment me rrit i rrit tatimet doganat akcizën në funksion të mbushjes së buxhetit për nevojat që lindin gjatë qeverisjes”, tha Kelmendi.

Ai po ashtu tha se me këto politika që zbaton dogana largohen edhe investitorët e huaj.

“Kjo formë e ngritjes së çmimeve ad hock pa koncept pa arsyetim dhe në njëfarë forme shtrenjtim i produkteve që konsumohen nga qytetarët është shumë e dëmshme së pari qytetarët hanë ushqime dhe gjëra të tjera më shtrenjtë se sa që është dashur. Ndërsa në anën tjetër investitorët e huaj po edhe këta të brendshëm po qe se kuptojnë që në Republikën e Kosovës nuk ka ligj po ka vullnet individual te ndonjë oficeri brenda institucionit të vlerësimit të çmimeve që mund ta rrisë çmimin me një dëshirë dhe me një vullnet çfarë ai donë ai investitor nuk do të vijë kurrë në Kosovë”, tha Kelmendi.

Sipas tij, doganat duhet të luftojnë informalitetin e vërtetë dhe ata të cilët me të vërtet i kanë zvogëlua faturat si në sasi si në çmim e jo të luftohet biznesi formal.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganave të Kosovës tha se ankesat e bizneseve kryesisht në dogana janë për vlerësimet e mallrave.

“Problemet kryesore në doganë që janë ose numri i ankesave kryesisht lidhet me vlerësimin e mallrave. Po, nëse shikohen statistikat ose krahasimet e me vitet e kaluara ne vitin e kaluar si numër total të ankesave prej bizneseve kemi marrë 1 mijë e 895. Kurse sivjet në momentin që flasim ky numër është përgjysmuar ka rënë në 980 ankesa. Ka ende ankesa por sidoqoftë në krahasuar me vitin e kaluar numri është ulë dukshëm”, tha Stavileci.

Ai po ashtu tha se Dogana nuk bënë dallime të bizneseve.
“Dogana grumbullon të hyrat për qytetarë e Kosovës. Kurse kompanitë i kanë të hyrat për interesa të tyre personale. Duhet të bëhet ky dallim, dogana nuk i mbledh ato të hyra për doganën por i mbledh për qytetarët. Sa i përket ankesave dogana një prej qëllimeve të saj e ka që gjithë importuesit të cilët futën në tregun e Kosovës të jenë të barabartë në aplikim ose në pagesën e taksave. Ne nuk mund të lejojmë një importues i cili sjellë një mall me bazë me vlerë doganore më të lartë kurse i njëjti të sjellë të njëjtin mall të njëjtin kushte të dërgesës të njëjtën vend origjinës me çmim më të ulët”, tha Stavileci.

Ndërsa ish-ministri i financave Haki Shatri tha se në momentin kur Qeveria bën presion tek institucionet që mbledhin të hyra për buxhet, atëherë ato janë të detyruara të bëjnë presion tek bizneset.

“Doganat kanë mundësi që në ç’do formë të realizojnë të hyra ndoshta edhe para kohës kur bizneset nuk i planifikojnë fare”, tha Shatri përmes telefonit.

Buxheti i Kosovës kryesisht është i varur nga të hyrat e doganave që pjesën kryesore të mbledhjes së taksave dhe akcizës i realizon nga importi i cigareve, naftës dhe produktet ushqimore.