Bizneset kërkojnë miratimin e pakos së dytë fiskale nga Qeveria e re

E publikuar: 05/08/2017 20:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta ketë prioritet pakon e dytë fiskale, pasi ende mungojnë udhëzimet administrative, të cilat do të përcaktojnë saktë interesin e biznesit. Kjo është kërkesë e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit.

Pako e dytë fiskale, e miratuar kohë më parë në Qeverinë e Kosovës, përbëhet prej listës së 22 masave.

Një pjesë e saj ka hyrë në fuqi me vendimin e Qeverisë, ndërsa, diku 70-80 % e pakos fiskale, do të bëhet me udhëzime administrative, të cilat ende mungojnë.

Kurse, pjesa e cila nuk do të mund të implementohet derisa të krijohet Kuvendi i Kosovës, është pjesa e ndryshimit të ligjeve, raporton KTV.

Ismet Mulaj, nga Oda e Afarizmit të Kosovës, e ka vlerësuar si një arritje të suksesshme të Qeverisë, por që, sipas tij, ka ende sfida.

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë se është duke u punuar në disa Udhëzime Administrative, në mënyrë që të fillojë zbatimi i masave të reja sa më parë.

Ndryshe, sipas deklaratave të mëhershme të ministrit në detyrë të Financave, Avdullah Hoti, si masë e parë dhe më e rëndësishme është lirimi nga tatimi doganor për gjitha produktet që konsiderohen si lëndë të parë për procesin e prodhim.