Bitcoin në rënie pas zbulimit të një mashtrimi 850 milionë dollarësh

E publikuar: 26/04/2019 16:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tregu i kriptomonedhave ra me shpejtësi ditën e Enjte pasi prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut akuzoi pronarët e një prej bursave kriptografike më të njohura Bitfinex për transaksione të paligjshme për të maskuar mungesën e 850 milionë dollarëve.

Sipas një padie prej 23 faqesh, Bitfinex kishte rritur rezervat e kriptomonedhës stablecoin Tether, një monedhë dixhitale e mbështetur 1 me 1 në dollarin Amerikan, për të paguar konsumatorët të cilët kërkonin të tërhiqnin para nga bursa.

Lajmet bënë që Bitcoin të binte me 6% në 5,100 dollarë duke vënë në pikëpyetje edhe besueshmërinë tek Tether.

Padia zbulon edhe një bisedë mes një ekzekutivi të Bitfinex në Gushtin e vitit të kaluar dhe përpunuesit të pagesave në Panama ku kishte transferuar paratë.

“Situata duket shumë e keqe. Kemi mëse 500 kërkesa për tërheqje parash dhe vazhdojnë të shtohen. Aktualisht po qëndrojmë mbi fije të perit,” shkruhej në mesazhin e ekzekutivit të kompanisë me emrin “Merlin.”

Merlin gjithashtu paralajmëron kontaktin e tij me emrin “Oz” se situata ishte kritike për mbarë industrinë kriptografike. Nëse nuk vepronin shpejtë Bitcoin mund të binte nën 1,000 dollarë.

Identiteti i saktë i kompanisë Panameze mbetet i paqartë. Operacionet e Bitfinex dhe lidhjet me Tether kanë qenë jo rrallë herë objekt spekulimesh. Sipas prokurorit të përgjithshëm është i njëjti individ që i kontrollon të dyja. /PCWorld Albanian