Bisedimet e Gjenevës për paqen në Siri

E publikuar: 28/11/2017 16:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot në Gjenevë rifilluan bisedimet mes qeverisë siriane dhe forcave opozitare që synojnë dhënien fund të luftës gjashtë vjeçare. Pothuajse gjysëm milion njerëz janë vrarë qëkurse Presidenti Bashar al-Assad shtypi kryengritjen gjatë Pranverës Arabe të vitit 2011. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, disa fuqi rajonale dhe globale janë përfshirë në konflikt – dhe me sa duket do të jenë ato fuqi që do të përcaktojnë kushtet e çdo marrëveshjeje paqeje që mund të arrihet.

Pavarësisht bisedimeve, bombat vazhdojnë të shpërthejnë. Observatori sirian për të drejtat e njeriut thotë se më shumë se 50 civilë u vranë nga sulmet ajrore ruse të dielën në një territor të kontrolluar nga Shteti Islamik në pjesën lindore të Sirisë. Moska ka konfirmuar sulmin me avionë, por thotë se ishin vrarë vetëm militantë.

Që nga hyrja në luftë në vitin 2015, Ruisa ka rifituar territore të shumta të humbura nga forcat besnike ndaj presidentit sirian Bashar al-Assad.

Jane Kinninmont është me Insitutin Mbretëror “Chatham House” për Marrëdhëniet Ndëkombëtare.

“Ndërsa Rusia tani luan rolin e paqebërësit, ndërhyrja e saj ushtarake ka filluar të krijojë atë që duket të jetë një fitore në zhvillim për Bashar al-Assad.”

Ai u ndihmua nga një opozitë e përçarë. Por për herë të parë në bisedimet e Gjenevës, fraksionet e ndryshme do të përfaqësohen nga një delegacion i vetëm i unifikuar. Ata po kërkojnë që Assadi të mos luaj rol në të ardhmen e Sirisë. Nasr Al Hariri kryeson grupin negociator opozitar.

“Çdo gjë në tryezën e negociatave është e hapur për diskutim.”

Fuqitë perëndimore akuzojnë qeverinë e Assadit për shkelje të rënda të drejtave të njeriut, përfshi bombardimin e civilëve, torturat dhe vrasjet në shkallë të gjerë, ndërsa janë zbehur kërkesat e tyre për largimin e tij nga pushteti.

Ndërsa Rusia dhe Irani kanë mbështetur Assadin, fuqitë perëndimore – përfshi Shtetet e Bashkuara – kanë mbështetur forcat opozitare të moderuara që luftojnë Shtetin Islamik. Forcat kurde kontrollojnë pjesë në veri – duke zemeruar Turqinë e cila ka dërguar trupa në Siri. Në të gjitha palët, vihet re një lodhje nga lufta, thotë zonja Kinninmont.

“Kanë qënë shkaqet lokale që kanë nisur konfliktin në Siri dhe pjesërisht është nxitur nga ndërhyrja ndërkombëtare. Pra, egziston një shans për zbutje, pjesërisht sepse fuqitë ndërkombëtare nuk duan të ushqejnë më këtë luftë. Sidoqoftë, në radhë të parë nuk janë arritur asnjë nga synimet e kryengritjes për të luftuar diktaturën dhe për një jetë më dinjitoze në Siri.”

Sikurse edhe me konfliktin, fuqitë rivale po mundohen të influencojnë paqen. Rusia filloi një raund bisedimesh javën e shkuar në Soçi të ndara nga procesi i Gjenevës. Grupet siriane të opozitës janë të pavendosura nëse ato duhet të angazhohen.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Donald Trump dhe homologu rus Vladimir Putin theksuan rëndësinë e bisedimeve të Gjenevës gjatë një telefonate javën e kaluar.