Bisedime Pompeo-Cavusoglu për çështjen Brunson

E publikuar: 28/07/2018 21:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Departamenti i Shtetit tha të shtunën se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu kanë diskutuar për çështjen e pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili është ndaluar në Turqi, nën akuzat për spiunazh dhe terrorizëm.

Nuk u dhanë hollësi lidhur me bisedën, por zëdhënësja Heather Nauert tha se të diplomatët ishin “të përkushtuar për t’i vazhduar diskutimet për zgjidhjen e çështjes”.

Ndalimi i pastorit Brunson është bërë një çështje që administrata Trump i ka kushtuar vëmendje të veçantë, madje duke kërcënuar edhe me vendosjen e sanksioneve, si një formë presioni për lirimin e pastorit.

Brunson u mbajt në burg për 21 muaj në Turqi dhe të mërkurën e kaluar ai u vu në arrest shtëpie.

Ndalimi i Brunsonit, pastor evangjelist nga Karolina e Veriut, ka shkaktuar tension në marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA, dy vende aleate në NATO.