Bisedime intensive për armatimin bërthamor të Iranit

E publikuar: 02/04/2015 14:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, tha se ka pasur “progres të rëndësishëm” , por “ende pa rezultat final”, në bisedimet me gjashtë fuqitë botërore, që synojnë kufizimin e programit atomik iranian, në këmbim për lehtësime të sanksioneve ndërkombëtare.

Duke folur para gazetarëve të mërkurën vonë në Lozanë të Zvicrës, ku po zhvillohen negociatat, ministri Zarif theksoi se “ka probleme” që pengojnë gjetjen e zgjidhjes.

“Ne shpresojmë se ekziston vullneti politik me qëllim që të lëvizim përpara. Ka probleme që na kanë parandaluar të gjejmë zgjidhje dhe sinqerisht besoj se kolegët tanë do ta pranojnë faktin se ky është rast unik, i cili nuk do të përsëritet dhe ata duhet ta kenë parasysh këtë mundësi”, tha Mohammad Javad Zarif, i cili është takuar me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry.

Vetë palët në bisedime, e patën caktuar mesantën e 31 marsit, si afatin e fundit për aritjen e marrëvshjes kornizë, por dështuan që ta realizojnë këtë, kështu që bisedimet vazhduan edhe pas këtij afati.

Shtetet perëndimore dëshirojnë të sigurohen se Irani nuk mund të prodhoj armatim atomik, ndërsa Teherani kërkon përfundim të shpejtë të sanksioneve ndërkombëtare ekonomike, të imponuara nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, që e kanë dëmtuar rëndë ekonominë e Iranit.

Zyrtarët e nivelit më të ulët nga Irani dhe gjashtë fuqitë botërore – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania – po ashtu, kanë mbajtur një varg të takimeve gjatë ditës së sotme.

Bisedime gjatë gjithë natës

“Për ata që na përcjellin, është ora 6 në mëngjes dhe unë jam në Lozanë dhe kështu ishte me të vërtetë gjatë gjithë natës”, ka shkruar në rrjetin Twitter, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Marie Harf.

Pas afro pesë orësh, ajo ka shkruar se John Kerry dhe negociatorët e tjerë i ishin “kthyer punës”.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, po ashtu, ka qëndruar në Lozanë pas kalimit të afatit. Ai ka shpjeguar se e ka anuluar vizitën e paraparë për në vendet baltike, për të mbetur në bisedimet atomike me Iranin.

Në bisedime, të mërkurën vonë nga Parisi, është kthyer edhe ministri i jashtëm i Francës, Laurent Fabius.

“Ne jemi disa metra larg linjës së finishtit, por çdoherë metrat e fundit janë më të vështira”, tha ai me të arritur në Lozanë dhe ka shpjeguar se gjashtë fuqitë botërore “dëshirojnë marrëveshje të fortë dhe të verifikueshme dhe ende ka pika ku duhet të bëhet progres, veçanërisht nga pala iraniane”.

Në këtë frymë është shprehur edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, i cili u tha gazetarëve në Uashington se “ka ardhur koha që Irani t’i bëjë disa vendime”.

A ka arritur Irani avancim psikik?

Senatori i njohur amerikan, John McCain, ish-kandidat presidencial republikan, e ka shtruar pyetjen se a mund të ndodhë që shtyrja e afatit për arritjen e marrëveshjes kornizë të trajtohet si avancim së paku psikik për Iranin.

“A nuk duket pak e pahijshme kur shteti më i madh në botë, sekretari i tij i shtetit, vazhdon të lutet për një tjetër ditë të negociatave? A nuk u jep kjo avancim, së paku psikikisht, iranianëve, të cilët në të njejtën kohë sa gjenden në tryezën e negociatave, tash ata janë në kontroll të Libanit me Hezbollahun, ata tash e kontrollojnë Jemenin, pastaj Damaskun, dhe tash edhe Bagdadin. Ata janë në lëvizje”, tha John McCain.

Pas marrëveshjes së përkohëshme, e arritur në nëntor të vitit 2013, palët në bisedime kanë dështuar dy herë të arijnë marrëveshje brenda afateve të vetëpërcaktuara.

Cilat janë mospajtimet?

Negociatorët kanë mospajtime lidhur me shkallën e pasurimit të uraniumit, i cili do të lejohej për Iranin, ku do të depozitoheshin sasitë e uraniumit të pasuruar, pastaj kufizimet e propozuara për kërkimet dhe zhvillimin atomik iranian, për afatin dhe kushtet e largimit të sanksioneve.

Irani thotë se programi i tij atomik është krejtësisht për qëllime paqësore, e kryesisht përdoret për prodhim të energjisë, raporton rel.

Aritja e marëveshjes gjithëpërfshirëse pas më tepër se dy dekadave të tensioneve lidhur me programin atomik të Iranit, do t’i përmirësoj gjasët për riafrim ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, marrëdhëniet e të cilave u tensionuan shumë pas Revolucionit Islamik në këtë vend në vitin 1979.