Bildt vlerëson vendimin e qeverisë së Kosovës për taksën

E publikuar: 28/02/2020 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, njëherësh dhe ish-ndërmjetësues i Bashkimit Evropian për ish-Jugosllavinë, ka vlerësuar vendimin e qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.

Në një postim në Twitter, Bildt thotë se hapi i parë i kryeministrit Albin Kurti është hap i mirë, ndërsa thotë se pret diçka të ngjashme edhe nga Serbia.

“Hap i mirë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Pa dyshim se s’do të bënte dëm edhe një hap i ndërmarrë nga Serbia për ta rinisur dialogun. Dhe BE-ja duhet të jetë e gatshme të ndërhyjë e të ndihmojë”, shkroi Bildt në Twitter, raporton Koha.net.

Qeveria e Kosovës, gjatë ditës së djeshme, përmes një konference të jashtëzakonshme për media, njoftoi se taksa ndaj mallrave serbe, fillimisht për lëndën e parë, do të hiqet nga 15 marsi.

SHBA-ja ka kritikuar vendimin e Kurtit për heqje të pjesshme të taksës, ndërkaq shtetet e BE-së e kanë mbështetur veprimin e Kurtit.