BIK-ut i prishet mishi në depo, por e zbulon vetëm pasi iu shpërndanë 4 mijë kg xhamisë

E publikuar: 21/08/2019 21:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

21 mijë kilogramë është sasia e mishit që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar nga depoja e Bashkësisë Islame të Kosovës, gjatë së mërkurës.

AUV-i ka konstatuar se ky mish i kurbaneve është i rrezikshëm për konsum dhe ka urdhëruar asgjësimin e tërë sasisë që gjendej në depon e BIK-ut, raporton KTV.

Zyrtarë të Agjencisë thonë se inspektimi i mishit është bërë me kërkesë të vetë BIK-ut.

Lamir Thaqi, zëdhënës i AUV-it, thotë se, sipas BIK-ut, kjo sasi e mishit ka ardhur nga thertoret në Kosovë dhe se ka qëndruar në depo deri në kohën e shpërndarjes te qytetarët për nder të festës së Kurban Bajramit.

Tutje, Thaqi thotë se gjatë kohës sa ka qëndruar në depo, mishi nuk ka arritur temperaturën e nevojshme ftohëse për të qenë i sigurt.

Mirëpo, hiç më larg se të martën, nga kjo depo janë dërguar katër mijë kilogramë mish në xhaminë “Pavarësia” në lagjen “Kodra e Trimave” të Prishtinës.

Nga aty, mishi u është shpërndarë banorëve, 10 ditë pas festës.

Disa banorë të kësaj lagjeje kanë rrëfyer prapa kamerës për KTV-në se mishi që u është shpërndarë ka pasur shtresa myku dhe ka kundërmuar.

Imami i kësaj xhamie, Nexhmi Hoxha, ka thënë se me të vërejtur që mishi është i prishur, e kanë larguar dhe e kanë kthyer atë në depon e BIK-ut.

Hoxha thotë se më pas i kanë lajmëruar banorët që të mos e përdorin mishin.

Kohavisioni ka provuar gjatë tërë ditës të kontaktojë më zyrtarë të Bashkësisë Islame, mirëpo asnjëri nga nuk ka qenë i qasshëm. Televizioni ka dërguar edhe pyetjet në adresë të BIK-ut, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Në të kaluarën, BIK-u ka therur kurbanet në Hungari, siç ka thënë, për t’u ikur sëmundjeve të kafshëve në Kosovë.

Ndërsa, zëdhënësi i AUV-it thotë se nuk e dinë vjetërsinë e mishit të asgjësuar këtë të mërkurë.