Bie poshtë plani i qeverisë britanike për rihapjen e plotë të shkollave fillore

E publikuar: 09/06/2020 10:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Plani i qeverisë britanike për rihapjen e plotë të shkollave fillore për të gjitha klasët pritet të bie poshtë të martën.

Departamenti i Arsimit tha se vazhdon të ketë ambicie që t’i kthejë nxënësit e rinj në shkolla para pushimeve veriore, shkruan “Metro UK”.

Megjithatë, sekretari i Arsimit, Gavin Williamson, pritet të thotë sot në Dhomën e Ulët se ky plan tashmë nuk është i arritshëm.

Kryeministri Boris Johnson do të takohet me kabinetin e vet të martën në mëngjes para se sekretari Williamson të japë deklaratë në kuvend për rihapjen më të gjerë të shkollave.

Besohet se ai do të thotë që shkollat fillore nuk pritet të hapen për të gjitha grupmoshat e nxënësve në kohën kur ka mbetur vetëm një muaj para pushimeve verore.

Një burim i lartë në Departamentin e Arsimit tha: “Disa shkolla nuk kanë hapësirë të mjaftueshme. Ne gjithmonë kemi thënë se do t’i dëgjojmë shkollat, prandaj ka gjasë që të tërhiqemi pak në këtë plan.”

Sekretari i Arsimit gjithashtu pritet t’i informojë deputetët në lidhje me numrin e nxënësve të shkollave fillore që janë kthyer në procesin mësimor në objekte fizike.