Bie numri i punonjësve që përdorin kompjuter në biznese

E publikuar: 29/05/2019 00:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Punësimi shënoi rritje në vitin 2018, por numri i atyre që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune pësoi rënie vitin e kaluar. Punonjësit që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune përbëjnë 26,0 % të të punësuarve gjithsej të ndërmarrjeve, nga 28,1% që ishte në 2017. Përqindja më e ulët e punonjësve që përdorin kompjuter vërehet në aktivitetin e industrisë përpunuese me 7,2% dhe në aktivitetin e ndërtimit me 15,0%.

Gjatë vitit 2018, përqindja e ndërmarrjeve të cilat kanë specialistë të fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është 22,9%, nga 22,4% që ishte në vitin 2017.

Kompjuterët janë përdorur në një masë më të madhe nga punonjësit e ndërmarrjeve që kanë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit me 73,9%, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 68,6% dhe aktivitetet e riparimit të kompjuterëve, artikujve personalë dhe familjarë me 65,2%.

Nga ndërmarrjet që përdorin kompjuter, në vitin 2018, 97,5% e tyre kanë akses në internet, ndërsa në vendet anëtare të BE-së ky tregues është mesatarisht 97,0%. Në vitin 2018, ndërmarrjet me 250+ punonjës përdorin 100% kompjuter me akses në internet.

Në vitin 2018, në 95,3% të ndërmarrjeve, lidhja në internet ka qenë e tipit DSL ose të tjera broadband, nga 88,4% që ishte në vitin 2017.

Në vitin 2018, numri i ndërmarrjeve me shpejtësinë e shkarkimit të informacionit më të lartë se 10 Mbit/s është 56,3% nga 45,8% që ishte në vitin 2017. Në vitin 2018, ndërmarrjet që kanë pasur faqe interneti janë 44,9 % e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet nga 47,3 % që ishte në vitin 2017. Në vitin 2018, në 80,4% të ndërmarrjeve, faqja e internetit është përdorur për të shfaqur katalogët e produkteve ose çmimet e tyre nga 71,3% që ishte në vitin 2017.

Në vitin 2018, 5,7% e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit apo aplikacioneve të dedikuara, nga 7,7% që ishte vitin e kaluar. Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit me 23,6 %, ndjekur nga riparimi i kompjuterëve, artikujve personalë e familjarë me 20,0% dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 13,0%.

Shërbimet cloud, të cilat u referohen shërbimeve që përdoren në internet për të aksesuar programe kompjuterike, kapacitete ruajtëse, etj., janë përdorur nga 10,7% e ndërmarrjeve për vitin 2018. Në vitin 2018, ndarja automatike e informacionit brenda ndërmarrjes është përdorur nga 38,3% e ndërmarrjeve.

Aplikimi i software për menaxhimin e marrëdhënieve me klientët (CRM) është përdorur nga 22,8% e ndërmarrjeve gjatë vitit 2018. Informacioni elektronik për zinxhirët e informacionit i cili i referohet dërgimit/marrjes së të gjithë informacionit mbi vargun e furnizimit (p.sh. nivelet e inventarit, planet e prodhimit, parashikimet, ecuria e dërgimit) nëpërmjet rrjeteve kompjuterike ose faqeve të internetit, është përdorur nga 12,6 % e ndërmarrjeve në vitin 2018.

Në vitin 2018, media sociale (Facebook, Linkedln, Twitter, YouTube, etj.) është përdorur nga 52,4% e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet, nga 46,8% që ishte në vitin 2017. Gjatë 2018, në 80,0% të ndërmarrjeve, rrjetet socialet janë përdorur për të përmirësuar imazhin e ndërmarrjes ose të tregut të produkteve (p.sh. për reklamë, për hedhjen në treg të një produkti të ri, etj.) nga 79,6% që ishte në vitin 2017, 25,4% e ndërmarrjeve e kanë përdorur median sociale për të shkëmbyer mendime, opinione apo njohuri brenda ndërmarrjes nga 20,0% që ishte në vitin 2017. /Monitor