Biden jep deklaratën e parë si president i ShBA-së

E publikuar: 07/11/2020 18:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas përfundimit të numërimit të votave në Pensilvani, Joe Biden është zyrtarisht Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

Ai ka marrë 20 votat elektorale të këtij shteti duke tejkaluar kështu pragun prej 270 votash të nevojshme për shpallur president i SHBA.

Sipas projeksioneve, Demokrati Joe Biden është tashmë presidenti në pritje i Shteteve të Bashkuara.

Biden ka reaguar në Twitter duke falënderuar qytetarët amerikanë e duke iu thënë se “është një nder që më keni përzgjedhur për të drejtuar vendin”.

“Puna që kemi përpara do të jetë e vështirë, por ju premtoj këtë: Do të jem Presidenti i të gjithë amerikanëve – edhe nëse keni votuar për mua, ose jo. Do ta ruaj besimin që më keni dhënë”.

Zv-presidentja Kamala Harris do të jetë gruaja dhe personi i parë me ngjyrë që merr këtë post të rëndësishëm në drejtimin e vendit.

77-vjeçari do të jetë presidenti më i madh në moshë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Ai ka thyer rekordin e mëparshëm që mbahej nga ish-presidenti Barack Obama, për numrin më të madh të votave popullore.

Kjo është hera e tretë që Biden kandidon për president.

U deshën disa ditë që të shpallej rezultati pas një beteje të ashpër në disa shtete, por ka qenë Pensilvania që ka vulosur fatin e zgjedhjeve.

Trump ka qenë mosbesues ndaj rezultatit edhe pasi shanset për fitoren e një mandati dytë qenë zbehur.