Betohen 53 gjyqtarë të rinj

E publikuar: 31/07/2017 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

53 gjyqtarë të rinj  kanë dhënë betimin e tyre para presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Thaçi në këtë ceremoni ka thënë se gjyqtarët e rinj që sot u betuan duhet të jenë gardianët e Kushtetueshmërisë dhe Ligjshmërisë, njofton Klan Kosova.

“Të dashur gjyqtarë, në supet tuaja është një përgjegjësi e madhe, përgjegjësi që unë kam besim të plotë se do të dini ta mbani dhe qytetarët e vendit tonë të ndjejnë veten të sigurt dhe të barabartë para ligjit”, ka thënë Presidenti.

Ai ka thënë se në Republikën e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, ka filluar një jetë e re, jetë me plotë dinamizëm dhe zhvillim, në të gjitha fushat, prandaj  na duhet një punë e palodhshme, në veçanti në fushën e drejtësisë.

Gjyqtarët e rinj kanë bërë betimin dhe janë zotuar që do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës së  Republikës së Kosovës.