Berisha i Nisma-s: Me LDK-në ose Vetëvendosjen e bëjmë qeverinë e re

E publikuar: 23/06/2017 18:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kohën kur është bërë koalicioni PDK-AAK-Nisma është vendosur që pas zgjedhjeve të shkohet me grupe të ndara parlamentare. Kjo, për shkak se partitë kanë dallime të mëdha në programet e tyre zgjedhore.

Kështu ka deklaruar për “Indeksonline”, anëtari i partisë “Nisma”, Zafir Berisha. Ai ka sqaruar se PAN-i nuk ka dashur të shkrihet në një parti, andaj kanë vazhduar secila me grupet e veta parlamentare.

Berisha ka bërë të ditur se në PAN nuk është biseduar ende për postet, por vetëm për pozitat e larta. Sipas tij, kryeministri do jetë Ramush Haradinaj i AAK-së, kryetar i Kuvendit do jetë Kadri Veseli i PDK-së dhe zëvendëskryeministër do jetë Fatmir Limaj i Nismës.

“Ne jemi parti të veçanta, nuk jemi një parti. Aty kur u bë koalicioni kam qenë edhe unë, dhe është ditur se faktikisht jemi duke bë koalicion e jo duke u shkri me një grup parlamentar në një parti. Sidomos, kur kemi parasysh që ne dallojmë ekstremisht edhe me programe zgjedhore. Është diskutuar për pozitat e larta, jo për postet. Ramushi kryeministër, PDK-së i takon kryetari i Kuvendit dhe natyrisht zëvendëskryeministër do të jetë kryetari i Nismës”, ka thënë ai.

Tutje, Berisha ka shtuar se për t`i bërë 61 vota, në PAN duhet të bashkohet Lëvizja Vetëvendosje, ose LDK-ja.

I pyetur nëse ka gjasa që Vetëvendosje të bëjë kthesë drastike dhe t`i bashkohet PAN-it, Berisha ka thënë se të gjitha subjektet janë parti politike dhe se Vetëvendosje po e luan lojën e saj.

Por, Berisha ka theksuar se postin e kryeministrit do e mbajë Haradinaj dhe ai do e bëjë qeverinë.

“Rrethanat e reja kanë krijuar nevojën edhe për partner të ri në koalicon. Pas certifikimit, Ramushi ka mbet të diskutojë se kush do të bashkohet në PAN, në mënyrë që të bëhen 61 vota. Mendoj se ose LDK-ja, ose VV duhet të vijë. Vetëvendosje po bën politikë dhe ne jemi subjekte politike. Në këtë rast VV po e luan lojën e vet. Por ajo është e vetëdijshme se koalicioni PAN dhe i nominuari ynë do ta bëjë qeverinë”, ka deklaruar ai.

Berisha ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të LDK-së rreth futjes në koalicion me PAN-in, apo me Vetëvendosjen, të cilat i ka quajtur “deklarata të papërgjegjshme dhe shokante për opinionin”.