Berisha: Krim bëri prokuroria, jo Hakia

E publikuar: 11/10/2020 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, ndërsa, i mbetet Gjykatës Themelore në Pejë të vendos për masën ndaj të dyshuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Besnik Berisha, avokat i Haki Rugovës, pas përfundimit të seancës, ka mohuar akuzat me të cilat ngarkohet Rugova, duke thënë se prokuroria ka bërë krim.

Berisha, arrestimin e kryetarit Rugova e quan të kunderligjshëm, sepse saç thotë ai, krimin e ka bërë prokuroria.

“Haki Rugova shkon në shtëpi, dhe një fjali që e kam përsëritur gjatë gjithë kohës, është se krim nuk ka bërë Hakia, por prokuroria.. pra krimi nuk është bërë nga zotri Rugova, por arrestimi i tij është tërësisht i kunderligjshëm, është i motivuar për gjithçka tjetër përveç për shkaqe ligjore”, ka thënë Berisha.

Seanca ndaj kryetarit Rugova ka zgjatur mbi tri ore, dhe për këtë, Berisha thotë se ishin faktet e falsifikuara që janë paraqitur ndaj Haki Rugovës.

“Ka zgjatë për shkak të arsye të dhëna nga unë si mbrojtës i zotëri Rugova, përndryshe prokuroria në momentin kur i ka dorëzu dokumentet e tyre të cilat përmbanin faktet e tyre të falsifikuara, e nënvizoj, fakte të falsifikuara, ata e kanë ulë kokën dhe janë në pritje të një vendimi i cili po të ketë drejtësi, zotri Rugova kthehet në shtëpinë e tij, kthehet tek qytetarët e tij të cilët do të iu shërbej me ndermëri”, thotë Berisha.

Berisha ka thënë se do të kërkohet një hetim urgjent nga prokuroria speciale.

Avokati Berisha ka thënë se janë dorëzuar prova për secilën akuzë që është bërë ndaj Haki Rugovës.

“Kemi dorëzuar prova për secilin pretendim, kemi dorëzuar prova se nuk bëhet fjalë për falsifikim, kemi dorëzuar prova se nuk bëhet fjalë për shpronësim të kunderligjshëm, kemi dorëzuar prova se nuk bëhet fjalë për prona të shfrytëzuara nga mandati që kryeson me komunën zotri Rugova, pra çdo prove e dorëzuar sot, rrezon verberinë e prokurorisë, veshtë e tyre të shurdhër, për të hap drejtim të ndriçimit të plotë të kësaj çështje”, thotë ai.

Ndërsa për arrestimin e nënkryetarit Faton Bujupi, Berisha thotë se prokuroria është tërhequr nga masa e sigurisë për Bujupin.

Berisha thotë se po të tërhiqeshin edhe nga propozimi për Haki Rugovën, prokuroria nuk do të mund të arsyetohej.

“Prokuroria është tërhequr nga kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ndaj nënkryetarit, Faton Bujupi, i cili dyshohet se është hartues dhe perpilues i dokumentit të falsifikuar sipas tyre, pra për akterin kryesor prokuroria heq dorë, por nuk mund të tërhiqet nga propozimi për zotrin Rugova, sepse po të tërhiqeshin sot… nuk do të mund ta arsyetonin spektaklin e bërë, dëmin e shkaktuar deri me tani” , tha ai.

Berisha ka thënë se bashkë me Haki Rugovën janë duke pritur vendimin nga gjykata, edhe pse siç thotë Berisha, ka pak rëndësi se çka vendose gjykata, sepse publiku do ta vlerësojë pas publikimit të fakteve që do të bëhen.

Berisha shtoi se në orën 17:00, në selinë e LDK-së, do të ketë një konferencë për media, ku do të jepen detaje për akuzën që prokuroria ka ngritur ndaj Rugovës.

Seanca dëgjimore ndaj kryetarit Rugova është mbajtur e mbyllur për medie.

Ndryshe kujtojmë se kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova së bashku me nënkryetarin Lulzim Blakaj, u arrestuan me datën 9 tetor, nën dyshimin për keqperdorim pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare./B.Hajdari/