Berisha: Hashim Thaçi të shpallet tradhtar i vendit me rezolutë

E publikuar: 27/10/2016 11:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti nga radhët e “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për vlerat e UÇK-së, ka thënë se legjislatura aktuale nuk ka moral të flasë për UÇK-në e madje as t’i shkojë në mendje që të flasë për të.

Berisha tha se përgjegjësi kryesor për devalvimin e UÇK-së është Hashim Thaçi.

Ai kërkoi që Hashim Thaçi të shpallet tradhtar i vendit me rezolutë.

“Ne sot kemi thirrur një seancë koti. Kjo seancë është e thirrur me ju qit hi syve qytetarëve dhe të palarat që i ka bërë ky Kuvend për t’u arsyetuar para qytetarëve. Ky Kuvend veçanërisht kjo legjislaturë nuk ka moral për të folur për UÇK-në. Është kjo legjislaturë që ka nxjerrë ligje e ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare për të luftuar UÇK-në. Përgjegjësinë për devalvimin e kësaj lufte fajin kryesor e ka Hashim Thaçi. Ai njeri me rezolutë duhet të shpallet tradhtar i këtij vend. Duke barazuar luftën çlirimtare dhe luftën okupuese të Serbisë ai mendon që më gjatë me nejt në politikë”, tha Berisha.

Seanca e sotme vjen pas mbledhjes urgjente që mbajti dje Kryesia e Kuvendit, ku u paraqiten rreth 40 nënshkrime të deputetëve që kërkuan të diskutojnë për vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit për rastin “Drenica”.