Berisha e rikonfirmon: Nuk e votoj Qeverinë nëse nuk sigurohen 61 vota pa Listën Serbe

E publikuar: 28/06/2017 12:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deklarimi i djeshëm i deputetit tashmë të zgjedhur nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha se nuk do të votoj qeverinë Haradinaj, nëse shumica e re parlamentare nuk i siguron 61 vota pa Listën Serbe ka nxitur reagime të shumta.

Vet Berisha shprehet i çuditur nga këto reagime, pasi thotë se ky qëndrim është vazhdimësi e qëndrimeve të tij karshi këtij subjekti.

“Unë mendoj se qëndrimi im është vazhdimësi kundër një subjekti shovinist, i cili me veprimet dhe angazhimet e tij ka qenë dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Nuk kam bërë asgjë të re përpos qe kam përsërit qëndrimin tim në legjislaturën e kaluar ku kam kërkuar në seancë plenare qe Lista Serbe mu me u çregjistru si subjekt politikë”, ka thënë Berisha për ‘Indeksonline’.

Tutje, Berisha thotë se qëndrimi i tij nuk është ndonjë zbulim epokal, por është qëndrim i tij i arsyetuar.

Lista Serbe, sipas tij, është dashur të hiqet krejtësisht nga gara zgjedhore.

“Ky është qëndrimi im personal. Një subjekt politik qe dirigjohet nga Vuciqi dhe i cili i ka bllokuar  Kosovën dhe shumë ligje dhe bën veprime antikushtetuese dhe nxit konflikte ndër etnike nuk është dashur të ekzistoj”, ka shtuar ai.

I pyetur, nëse ka marrë ndonjë reagim nga partia të cilës i takon, Berisha ka thënë se ai është vlerësim i tij personal dhe nuk pret reagime në këtë drejtim.

Duke folur për qeverinë e ardhshme, ai ka thënë se si koalicion parazgjedhor i kanë siguruar shumicën e votave qe Ramush Haradinaj me qenë kryeministër dhe ai qëndron në atë se Haradinaj duhet të bëhet kryeministër, por jo i varur nga Lista Serbe.

Koalicioni PAN nga zgjedhjet nacionale të 11 qershorit ka siguruar 39 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Kësisoj, ky koalicion ka fituar të drejtën për të formuar institucionet, por Vetëvendosje e LDK kanë thënë se nuk do të votojnë qeverinë Haradinaj.

Në anën tjetër, zyrtar të AAK-së dhe vet Haradinaj kanë deklaruar se tashmë i kanë siguruar mbi 61 vota të nevojshme për formimin e Qeverisë./Indeksonline/