Beqiri: PDK e VV në opozitë, të caktohet data e zgjedhjeve

E publikuar: 12/05/2018 17:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ismet Beqiri i LDK’së ia ka shuar shpresat Glauk Konjufcës të Vetëvendosjes se partia e tyre në zgjedhjet e ardhshme do të dalë e para. Për deputetin e LDK’së është e sigurt se vetëm subjekti i tyre do të jetë fitues. Madje ky zyrtar i LDK’së vazhdon ta shohë Vetëvendosjen edhe më tutje në opozitë. E bashkë me të edhe PDK’në. Partia e Mustafës nuk heq dorë nga caktimi i datës për zgjedhje.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i harrojë të këqijat që i ka bërë Vetëvendosje gjatë kohës kur në qeverisje ishte Isa Mustafa. Rrjedhimisht as nuk do të dojë të bëjë koalicion me këtë parti.

Kështu e thotë haptazi sekretari i përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri. Kësisoj ky deputet i Mustafës ia ka dhënë përgjigjen Konjufcës së Vetëvendosjes, i cili tha se në zgjedhjet e reja do të dalin të parët, duke lënë mundësinë e koalicionit me partinë që dikur e gjuante me vezë për shkak të demarkacionit.

“Fillimisht, po e heq merakun, se VV nuk do të dalë e para. LDK do të jetë e para. Të gjithë parametrat tregojnë se LDK është e para. Për të tjerat mbesim të vendosim. Disa duhet të ndërrojnë sjelljet dhe kursin. LDK nuk është e lehtë të harrojë sjelljen e deputetëve të VV’së që i kanë bërë dëme të mëdha vendit. Ata duhet të heqin dorë nga dhuna dhe çfarë kanë bërë në raport me institucionet dhe LDK’në”, tha Beqiri, të shtunën, për Gazetën Express, duke ia vendosur vijat e kuqe partisë së Albin Kurtit.

Megjithatë, sekretari i LDK’së thekson se në fund është partia ajo që vendosë për partner koalicioni, edhe pse beson që pas zgjedhjeve partia e tij as që do të ketë nevojë për koalicione të mëdha.

“Mendoj se LDK dhe e kam bindje pas zgjedhjeve nuk do të ketë nevojë për koalicione të mëdha. Koha ka ardhur që PDK të jetë në opozitë bashkë me VV. Por, nuk është imja me dhanë përgjigje për koalicionin tonë paszgjedhore me partitë që janë opozitare”, ka sqaruar Beqiri.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, iu kishte dërguar letër krerëve të partive politike, duke i ftuar ata në një tryezë, ku do të dakordoheshin për datën e zgjedhjeve të parakohshme. Në tryezën ku morën pjesë të gjitha partitë u vendos që të mbahen tryeza në rotacion për të bashkëpunuar rreth temave me rëndësi për vendin, rrjedhimisht edhe caktimin e datëspër zgjedhjet e reja.

Për këtë situatë, Beqiri tha se qëllimi dhe vullneti i mirë i LDK’së është të provojë të arrijë marrëveshje rreth temave të mëdha nga ata që nuk kanë votë për t’i çuar përpara, dhe pastaj të caktohen edhe zgjedhjet. Paralajmëron se nëse po tentohet të blihet kohë nga partitë tjera ata do të nisin mocionin.

“Ne nuk do të presim në pafundësi. Ne do të kalojmë në fazën tjetër të veprimit. Përgatitja për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë aktuale. Edhe pak do të presin, eventualisht, ndonjë parti tjetër të thërras tryezën. Këtë mundësi e ka Aleanca dhe Nisma. Ose edhe ndonjë subjekt tjetër. Nëse s’ka rezultat dhe është tentim për të blerë kohë ne do të shkojmë me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Hardianjt”, deklaroi Beqiri.

Ndërkaq e ka bërë të qartë se LDK nuk do të heq dorë nga caktimi i datës së zgjedhjeve nacionale./GazetaExpress/