Beqiri Flet për Forcat e Armatosura dhe Demarkacionin

E publikuar: 24/03/2018 23:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në emër të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe kryesisë së LDK-së, qytetarëve dhe veprimtarëve të Obiliqit iu drejtua sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.

Beqiri tha se LDK është subjekti i parë politik në vend dhe këtë e dëshmuan zgjedhjet e tetorit, ndërsa në Kuvendin e Kosovës LDK-ja sot është me grupin më të madh parlamentar.

“Ishte angazhimi i LDK-së që të votohej marrëveshja për shënjimin e pikës kufitare me Malin e Zi, marrëveshje kjo e njëjta me atë të para tre vjetësh për ta mundësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përkrahur dhe do të vazhdojë ta përkrah formimin e Ushtrisë së Kosovës por gjithmonë në koordinim me miqtë tonë ndërkombëtarë”, tha ndër të tjerash Beqiri.

Ai falënderoi të gjithë veprimtarët e LDK-së që i kontribuuan shumë kohërave dhe të gjithë aktivistët që sot po angazhohen që shpejt ta kthejnë Lidhjen Demokratike të Kosovës në qeverisje.

“Do të punojmë bashkërisht me shumë mund dhe angazhim që ta kthejmë Obiliqin dhe LDK-ja të udhëheqë edhe në komunat tjera”, përfundoi Beqiri.

Kryetari i degës Mehmet Krasniqi përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë ata që gjatë gjithë këtyre viteve me shumë guxim punuan për zhvillimin e vendit.

Po ashtu në këtë 28 vjetor Krasniqi kujtoi të gjithë ata që vepruan dhe punuan për LDK-në dhe Komunën e Obiliqit.

“ Obiliqi do të njohë dhe respektojë vazhdimisht kontributin e armatës së tërë, të aktivistëve të LDK-së deri më sot, të atyre që u sakrifikuan dhe nuk janë më me në dhe të gjithë atyre që sot janë në front të betejës për realizimin e ëndrrës së gjeneratave falë të cilëve ne kemi një trashëgimi të mirëfilltë politike dhe historike siç është Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Krasniqi./21Media