Beqaj: Gjykata Speciale do ketë pasoja në pastrimin e spektrit politik

E publikuar: 15/07/2020 23:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti Belul Beqaj në emisionin Desku në KTV ka thënë se Gjykata Speciale do të ketë pasoja në pastrimin e spektrit politik.

“Tash e kemi një situatë, pak a shumë të plotë të aktivizimit të Gjykatës Speiale, dhe kjo do të krijojë pasoja në spektrin politik i cili do të pastrohet dhe qytetarët nuk do të jenë në pozitë siç kanë qenë më parë që të votojnë atë të cilët ndoshta kanë më shkuar në Gjykatën Speciale”, ka thënë Beqaj. “Kemi një pastrim i cili nënkupton se edhe skena politike do të jetë më e shëndoshë dhe nuk arsye që të shantazhohet dhe të kushtëzohet por ka mundësi të unifikimit të saj me qëllim të realizimit të synimit të përbashkët që e ka Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, natyrisht në interesin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ai ka shtuar tutje se asnjë qytetar i Kosovës mendje esëll nuk duhet t’i gëzohet faktit se po intervistohen, se po paralajmërohen aktakuzat, apo eventualisht do të dënohen këta persona.

“Të gjithë ata që eventualisht i gëzohen ngritjeve të aktakuzave janë të marrë, por edhe ata, qoftë kryetari i Republikës, i PDK-së, apo komandantë të zonave, të cilët nuk janë të gatshëm të përballen me drejtësinë dhe dëshirojnë të instrumentalizojnë UÇK-në për interesa të veta nuk janë të denjë për funksionet që i kanë pasur, apo po i kryejnë”, ka thënë Beqaj. “Mendoj se kjo po ndodhë. Të dy proceset janë të pranishme. Kjo e dyta është mëse e çartë”.

Ai ka kritikuar Thaçin për dinakëri të dyanshme.

“Nëse Hashim Thaçi qenka vërtet ky që po paraqitet sot, pse nuk e vizitoi varrin e Adem Jasharit atë ditë kur i bëri presion deputetëve për të aprovuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Nëse ky është ai president që identifikohet me UÇK-në pse nuk e vendosi emblemën e UÇK-së, atë ditë në Facebook ku bëri presion për aprovimin e Ligjit. Dinakëri të dyanshme. Mendoj se duhet me qenë korrekt, me u përballë ndaj drejtësisë dhe qytetarëve. Në këtë kuptim, çështja e dinjitetit duhet të ruhet edhe nga qytetarët edhe më tepër nga ata që na kanë përfaqësuar deri më sot”, ka thënë Beqaj.

Kur janë në pyetje raportet me jashtë, si ka thënë Beqaj, Kosova e ka një përparësi potenciale, të cilën nuk është duke e shfrytëzuar.

“Pasi që jemi të vogël me numër, do të duhej ta kishim më të lehtë kohezionin. Porse, këtë gjë nuk e kemi bërë”, ka thënë ai.

Kësisoji, si ka thënë Beqaj, një “hendikep i vogël është shndërruar në hendikep të dyfishtë”.

“S’mund të ndikojmë jashtë, nëse nuk kemi unitet të brendshëm dhe fakti që jemi të vegjël, mungesën e numrave mund ta kthejmë në sinergji të brendshme, që mund të rrezatojë jashtë”, ka thënë Beqaj.

Ai vlerëson se ka ardhur koha për ndryshime politike.

“Mendoj se ka resurse që s’kanë dalë në sipërfaqe. Në sipërfaqe janë resurse që s’janë të denja, ato që karakteristikë e kanë paaftësinë, por kanë krijuar sistem me njerëz të pandershëm dhe të paaftë, që i pengojnë njerëzit e aftë”, ka thënë Beqaj.