Beogradi i pakënaqur me shkallën e kthimit të serbëve në Kosovë

E publikuar: 31/10/2016 11:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkalla e kthimit të qëndrueshëm të serbëve të shpërngulur nga Kosova është më i ulëti në krahasim me rajonet pas konflikteve dhe është vetëm 1.9 për qind,e përgjegjësinë për këtë, sipas Marko Gjuriqit,e kanë organet e Kosovës.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Gjuriq, në takim me zëvendës ndihmësen e SHBA–së për çështje refugjatësh Nancy Izo Jackson, është ankuar pse kjo temë nuk është gjendur në agjendën e Brukselit në bisedimet Beograd – Prishtinë, transmeton Koha.net.

Ai, siç njofton FoNet ka përmendur problemet me të cilat ndeshen të kthyerit në jug të Ibrit e sidomos në fshatrat e Dukagjinit duke theksuar se “ bëhet fjalë për popullatën e privuar më së shumti nga të drejtat në Europën bashkëkohore”.

“Pos çështjeve të sigurisë, problem për të shpërngulurit është se ata nuk mund të hyjnë në pronën e vet, pasi 40 mijë njësi banesore janë ende të uzurpuara e Prishtina nuk po krijon kushte ligjore që ky problem të zgjidhet në mënyrë të drejtë”,është thënë në kumtesën e shpërndarë nga Zyra e Gjuriqit.

Gjuriq ia ka prezantuar Jacksonit edhe konceptin e lagjes “Lugina e Dielli” e cila “ka potencial që pjesërisht ta korrigjojë padrejtësinë de në mënyrë të qëndrueshme të zgjidhë problemet e atyre që ende dëshirojnë të kthehen në Kosovë”.