Benzema në telashe sërish, kësaj radhe edhe më keq

E publikuar: 19/03/2016 15:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bëhet fjalë për një çështje aspak të mirë në momentin e gabuar. Benzema ka përfunduar sërish në qendër të vëmendjes jo prej një goli apo një fitoreje, por për shkak të një hetimi që u publikua dje nga gazeta franceze “Liberation”.
Ortaku keqbërës – Sipas të përditshmes që është krijuar nga Zhan Pol Sartre, Karim Benzema për momentin nuk është akuzuar për asnjë vepër penale. Ai është gjendur në telashin më të fundit, pasi është bashkëpronar i një lokali ku njëri prej ortakëve, përveçse akuzohet si trafikant droge, ka tentuar që të riciklojë edhe para në aktivitetin e lartpërmendur.

I pafajshëm – Vetë e përditshmja franceze sqaron se Karim Benzema nuk është përfshirë në këtë hetim, pasi nuk konsiderohet si fajtor. Thuhet se sulmuesi i Realit të Madridit sapo është njoftuar nga prokurorët për faktet e reja që u kanë dalë nga hetimi ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë franceze.

Faktet – Gjithçka ka nisur në shtatorin e 2014-ës. Në atë kohë grupi i ortakëve ka vendosur që të blejë një lokal shumë pranë Elizesë. Çmimi i paguar prej tyre (1.45 milionë euro për 300 metra katrorë në njërën nga zonat më të shtrenjta të Parisit është një shifër qesharake) ka shtyrë drejtësinë franceze që të hapte një çështje, e cila do t’i shkaktonte shumë dëm në imazh sulmuesit francez.

Ky i fundit ka dalë garant për disa kredi të tjera. Sulmuesi ishte në kërkim të investitorëve të tjerë dhe pikërisht njëri prej tyre e futi në telashe, pasi tentoi që të pastronte para të përfituara nga trafiku i drogës. Çmimi modest i lokalit bëri që hetuesit të përgjonin ortakët dhe të bllokonin në kohë keqbërësin.

“Ai ishte aksionar i një restoranti, për faj të të cilit ka humbur shumë para (dy milionë euro)”, konfirmoi për të përditshmen franceze një burim pranë futbollistit. Sipas kreut të trupës gjykuese, Renaud Van Ruymbeke, Benzema nuk ka lidhje me keqbërësin. Ai është marrë në pyetje vetëm në cilësinë e personit që ka dijeni për faktet.