Belsh, tritol godinës 4-katëshe. Shpërthimi dëmton edhe banesat rrotull

E publikuar: 30/10/2016 14:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një godinë katërkatëshe në qendër të Belshit është shembur sot për t’i hapur rrugë rikualifikimit urban të qendrës së qytetit.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) shkatërroi me atë që duhet të ishte një shpërthim i kontrolluar objektin 4-katësh që ndodhej në breg të liqenit.

Por, siç duket sasia e eksplozivit prej 12 kg i ka tejlakuar pritshmëritë, pasi nga shpërthimi janë dëmtuar edhe xhamat e ndërtesave rrotull.

Banorët thonë se ishin lajmëruar për shpërthimin, megjithatë nuk kishin dijeni që ai mund të dëmtonte edhe ndërtesat përreth.

Objekti i shembur kishte një sipërfaqe prej rreth 1500 metra katrorë.

Projekti për rikualifikimin urban përfshin të gjithë qendrën e qytetit të Belshit ku është parashikuar që buzë liqenit të ndërtohet shëtitore dhe një hapësirë publike e cila pritet të ndryshojë tërrësisht pajmet e këtij qytetit.

/ Top Channel