BE’ja i çon mesazh Erdoganit pas fitores në referendum

E publikuar: 17/04/2017 00:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
BE'ja i çon mesazh Erdoganit pas fitores në referendum

Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian, i ka dërguar një mesazh presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pasi komisioni shtetëror zgjedhor në Turqi ka konfirmuar fitoren e tij në referendumin e zhvilluar sot në vend, për ndryshime kushtetuese, që do t’ia zgjerojnë atij kompetencat.
Turqia duhet të gjejë “konsensusin më të gjerë të mundshëm kombëtar” në ndryshimet e saj kushtetuese, duke marrë parasysh fitoren e ngushtë të kampit pro ndryshimeve, ka thënë KE, përcjell Gazeta Express.

Rezultatet jopërfundimtare kanë treguar se 51.3 për qind e turqve kanë aprovuar ndryshimin e kushtetutës së tyre në referendumin e sotëm, duke i dhënë presidentit Erdogan kompetenca të reja gjithëpërfshirëse.

“Duke pasur parasysh rezultatin e ngushtë të referendumit dhe implikimet e gjera të ndryshimeve kushtetuese, ne i bëjmë thirrje autoriteteve turke të gjejnë konsensusin më të gjerë të mundshëm kombëtar në zbatimin e tyre”, ka thënë Komisioni Evropian. /Express/