Bedri Hamza nuk e zbaton vendimin e Haradinajt për pagat

E publikuar: 13/06/2018 14:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të zyrtarëve shtetëror nuk pritet të gjejë zbatim edhe për një kohë në Ministrin e Financave, kjo pasi që shefi i këtij dikasteri Bedri Hamza nuk është pajtuar me aprovimin e këtij vendimi, pavarësisht konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se ai është i drejt dhe ligjor.

I kontaktuar nga “Gazeta Blic” ministri Hamza, nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij as një ditë pas mbledhjes së qeverisë ku shprehu mospajtimet e tij lidhur me këtë vendim, duke kërkuar sqarim nëse ky vendim do të mund të sillte pasoja juridike, meqë Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se ka pasur konflikt interesi. Ai po ashtu kishte kërkuar që që rritja e pagave të bëhet përmes ligjit për pagat.

Të paktën kështu ka lënë të nënkuptohet zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, i cili deklaroi se “për këtë çështje ministri e ka dhënë mendimin e tij në mbledhjen e Qeverisë dhe për më shumë ju lutem të kërkoni përgjigje në Zyrën për informim në ZKM”.

Zyra e Kryeministrit insiston se vendimi për nivelizimin e pagave prek sistemin gjyqësor dhe prokurorial

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës Donjeta Gashi, tha për “Gazeta Blic” se vendimi për nivelizimin e pagave ka bërë që 600 gjyqtarë dhe prokurorë të përfitojnë derisa janë një numer i vogël i zyrtarëve qeveritare që prekën nga ky vendim.

“Në fillim të vitit patëm rritje të pagave për të gjithë punëtorët në sektorin publik, që në fakt nuk ka pasur për disa vite lëvizje. Ky vendim, pra për nivelizim të pagave për gjyqtarët, prokurorët dhe një pjesë të vogël të zyrtarëve qeveritarë vlenë deri të ardhja e ligjit për paga dhe i cili besojmë që do të finalizohet këtë vit dhe për të cilin po punohet dhe i cili do të kategorizoj të gjithë sistemin e pagave në vend dhe ligj i cili është prolonguar prej vitesh dhe që vetëm tani po merr formë”, ka thënë ajo.

Gashi, tutje ka sqaruar se Qeveria ka vendosur në mënyrë legjitime për heqjen e pezullimit të vendimit për rritje të pagave “duke e respektuar procesin që ka nis si kontestim nga disa deputetë dhe për të cilën Gjykata Kushtetuese ka vendosur që nuk kanë bazë”, tha ajo në një përgjigje përmes postës elektronike.

Rritja e pagave varfëron buxhetin e shteti?

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, deri më tani ka pasur pagë prej 1,443.20 euro, ndërsa me vendimin e marrë për rritje të pagave, paga e tij është rritur në 2,950 euro, rritje kjo për 100 për qind. Nga kjo rrjedh që, nëse shuma prej 1507 euro (sa është rritja e pagës për kryeministrin) shumëzohet me 6 (muaj që duhet të kompenzohen), del që Haradinaj në fillimin e muajit të ardhshëm do të merr 9042 euro më shumë. Për një vit paga e kryeministrit do i marrë buxhetit shtetëror 35400 euro (35 mijë e 400 euro).

Njësoj do të bëhet edhe me zëvendës kryeministrat, e që qeveria Haradinaj i ka pesë sosh.

Ata deri para vendimit të qeverisë, kanë pasur pagë prej 1,356.30 euro, e që tashmë do ta kenë 2,500 euro. Për gjashtë muaj, këta do t’i kushtojnë buxhetit një shumë prej 1507 eurosh në muaj dhe për këta gjashtë muaj do të kompenzohen në shumë totale prej 34320 euro. Për një vit të vetëm, 150000 (150 mijë) euro do të shpenzohen për pagat e zëvendës kryeministrave.

Nuk do të qëndrojnë keq dhe ministrat. Ata tash do të paguhen 2,000 euro për muaj, nga 1,270.50 euro që ishin paguar më herët, me një rritje prej më shumë se 70 për qind.

20 ministra nga 21 ministri (për shkak se Dardan Gashi, nuk paguhet si ministër i Diasporës, për arsye se merr pagë si zëvendës kryeministër) si kompensim për këtë gjashtë mujorë, do e ‘rrjepin’ buxhetin e shtetit prej 87600 euro. 480000 (480 mijë) euro tash e tutje do i marrin buxhetit çdo vit ministrat e qeverisë së Kosovës.

Këshilltari i Lartë i Kryeministrit dhe i ministrit deri më tani janë paguar nga 693 euro, por nga tani ata do të paguhen 1,340 euro, përkatësisht 1,050 euro më shumë, me gati 100 për qind rritje. Ndërsa, këshilltari politikë i ministrit tash do të paguhet 800 euro bruto, nga 577.50 euro bruto që ishte paguar më herët, apo gati 80 për qind më shumë.

Ndërsa, zëvendësministrat do të jenë të vetmit që do t’u zbritet paga, nga 1,182.50 euro, ata do të paguhen për muaj me 1,150 euro. Kjo një ulje page prej 32.50 euro, shkruan Insajderi.

1131600 (1 milion e 131 mijë e 600 euro) do ‘kushtojnë’ secilin vit zëvendës ministrat e Kosovës.

Po ashtu, asistentët dhe shoferët do të gëzojnë pagë të lartë. Asistenti i Lartë i Kryeministrit tash do ta ketë pagën prej 970 euro. Asistenti i Lartë i Ministrit do ta ketë pagën prej 600 euro nga 407.55 euro, apo 80 për qind më shumë, ndërsa shoferi i tij do të paguhet 580 euro nga 348.56 euro që ishte paguar më herët, me një shtim page mbi 80 për qind.

Haradinaj me pagën me të lartë në rajon!

Krahasuar me pagat e shefave të Qeverive në Ballkanin Perëndimor, del se Kryeministri Haradinaj ka pagën më të lartë në rajon.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pagën mujore e ka 1,700 euro. 400 euro pagë më të vogël sesa të Ramës e ka Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev me 1,300 euro.

Kryeministri malazez Dusko Markoviq e ka pagën 1,130 euro, ndërsa Ana Bërnabiq, shefja e Qeverisë serbe paguhet vetëm 1,000 euro në muaj

Ky nuk është vendimi i parë që Kryeministri Haradinaj ka marrë lidhur me pagat.

Sipas të dhënave për nivelin e pagave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në fund të vitit 2016, paga bruto në sektorin privat ishte 371 euro, ndërsa në atë publik paga bruto ishte 525 euro.

Qeveria, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, është kritikuar edhe për numrin e lartë të vartëseve të tij.