BE-ja zgjeron listën e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës

E publikuar: 28/01/2020 16:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi Evropian ka shtuar shtatë emra në listën e sanksioneve ndaj Rusisë për cenimin e integritetit territorial dhe pavarësisë së Ukrainës.

Lista e sanksioneve, e cila tani përbëhet nga 177 individë dhe 44 subjekte, u krijua pasi Rusia mori nën kontroll rajonin e Krimesë në Ukrainë në mars të vitit 2014, dhe ndërkohë është zgjeruar, pasi Moska ka vazhduar të përkrahë separatistët në lindje të Ukrainës, në një konflikt që ka vrarë më shumë se 13,000 njerëz,shkruan Lajmi.net.

Sanksionet ndaj shtatë personave u vendosën për shkak të përfshirjes së tyre në “zgjedhjet” lokale të organizuara nga autoritetet e imponuara ruse në në shtator të vitit 2019.

Personat e sanksionuar janë: Sergei Danilenko, Lidia Basova dhe Yekaterina Pyrkova nga Komiteti lokal zgjedhor në Sevastopol, si dhe Yuriy Gotsanyuk, kreu i qeverisë de-fakto të Krimesë. Tre individët tjerë të shënjestuar janë: Mikhail Razvozhayev, Vladimir Nemtsev dhe Yekaterina Altabayeva.

Në kuadër të sanksioneve përfshihet edhe mosdhënia e vizave të udhëtimit për në Bashkimin Evropian.

Në mars, BE-ja pritet të zgjasë sanksionet e saj për gjashtë muaj të tjerë.