BE-ja reagon për emërimin e Shalës në Agjencinë për Krahasimin dhe Verifikim e Pronës

E publikuar: 07/03/2019 14:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka shprehur pakënaqësinë e saj, lidhur me vendimin e Kuvendit të Kosovës për emërimin e Naser Shalës, në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

“Thellësisht e pakënaqur me vendimin e Kuvendit të Kosovës, që të injorojë krejtësisht emërimin e personave në bazë të meritave, përmes një procesi të përgjegjshëm dhe transparent. Emërimi i drejtorit të ri të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës nuk është në përputhje me praktikat dhe vlerat e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Apostolova në rrjetin social Twitter.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt ka reaguar lidhur me emërimin e Shalës.

“Nëse kualifikimi nuk ka shumë rëndësi, atëherë si do të ecë ky shtet përpara? Ne na duhen njerëzit më të kualifikuar, jo ata që kanë rreth më të mirë”, ka deklaruar ai, përcjell rel.

Një ditë më parë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell po ashtu kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me emërimin e Naser Shalës në Agjencinë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, duke argumentuar se Kuvendi ka zgjedhur personin që nuk ka plotësuar kriteret.

Agjencia Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës është agjenci e pavarur e themeluar nga Kuvendi i Kosovës, që ka për mandat të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KVVP) të zgjidhë dallimet dhe mospajtueshmëritë në mes të dokumenteve të cilat i ka marrë Kosova nga autoritetet serbe dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, atë komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare.