BE-ja pret proces transparent zgjedhor në Kosovë

E publikuar: 12/02/2021 14:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë të organizohen në mënyrë të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në mjediset ku kandidojnë pjesëtarët e komunitetit serb.

Këtë porosi BE e ka dhënë duke u përgjigjur në pyetjet rreth vërejtjeve të mëhershme se në mesin e serbëve të Kosovës në të kaluarën ka pasur presion dhe frikësime të kandidatëve dhe mbështetësve, të cilët nuk ishin nga Lista Sërpska, të cilën e mbështet Qeveria e Serbisë.

“Opozita dinamike dhe një garë elektorale janë pjesë e demokracisë pluraliste”, është përgjigjur një zëdhënës i Komisionit Evropian për REL.

Komisioni Evropian edhe në Raportin e Progresit të miratuar vitin e kaluar, kishte konstatuar se zgjedhjet në Kosovë ishin zhvilluar në përgjithësi në mënyrë të duhur me garë konstruktive, përpos në pjesët e Kosovës ku garonin pjesëtarët e serbëve të Kosovës.

Në ato pjesë, sipas vetë raportit të Komisionit Evropian, ka pasur presione dhe frikësime të atyre që kandidonin kundër Listës Sërpska apo mbështetësve të tyre.

Në pyetjen se çfarë ka bërë Bashkimi Evropian për të siguruar që edhe në pjesët e banuara me serbë në Kosovë të mos përsëriten problemet që janë parë në të kaluarën, Komisioni Evropian ka thënë se “BE-ja rregullisht diskuton me të gjitha çështjet përkatëse, përfshirë edhe kur është fjala për zgjedhjet me bashkëbiseduesit relevantë, dhe nënvizon nevojën për të implementuar rekomandimet e misionit vëzhgues të BE-së”.

“Është e nevojshme që të gjithë votuesit të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë të lirë, pa presion politik. Të gjithë pjesëmarrësit, institucionet apo partitë politike, mbajnë përgjegjësi për këtë” ka thënë ky zëdhënës i Komisionit Evropian.

Nga BE-ja është paralajmëruar se përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, së bashku me akterë tjerë ndërkombëtarë, do të jenë të pranishëm në ditën e zgjedhjeve në një numër vendvotimesh në Kosovë për të ndjekur procesin zgjedhor.

SHPËRNDAJE