BE-ja nuk thotë as se duhet e as se nuk duhet përfshirë “Trepçën” në dialog

E publikuar: 08/02/2019 08:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në BE janë shprehur “paksa të habitur” me jehonën që ka pasur në Kosovë një përgjigje e zëdhënëses për çështje të jashtme dhe zgjerim, Maja Kocijançiq, ndaj një pyetjeje të mediave të Serbisë për veprimet e Kosovës lidhur me “Trepçën”.

Nga kjo përgjigje mediat serbe kanë nxjerrë konkludimin se “BE-ja kërkon që për statusin e ‘Trepçës’ të diskutohet në dialog”.

Kjo ka acaruar Qeverinë e Kosovës, e cila ka porositur se “nuk do të diskutohet me Beogradin për pronësitë dhe resurset natyrore të Kosovës”.

Por një ditë më vonë në BE e kanë relativizuar peshën e përgjigjes që kanë dhënë duke porositur se “ka qenë vetëm shprehje e qëndrimit të përgjithshëm, parimor, e BE-së si lehtësues, se të gjitha problemet e hapura duhet të zgjidhen me marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese”.

Në BE pohojnë se nuk e kanë përmendur “Trepçën” në mënyrë specifike në përgjigje ndaj pyetjeve të mediave serbe, por është “interpretim i mediave të Serbisë” se BE-ja ka thënë se për “Trepçën” duhet të bisedohet në dialog, shkruan sot Koha Ditore.

Përgjigjja e zëdhënëses në emër të BE-së ka qenë vetëm “parimore”, ndërsa për temat të cilat mund të diskutohen në dialogun e Brukselit vendosin vetë palët.