BE-ja e kritikoi Rusinë për legjislacionin “agjentët e jashtëm”

E publikuar: 26/11/2017 14:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi Evropian e ka kritikuar legjislacionin e nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, me të cilin Qeveria e Rusisë autorizohet për t’i klasifikuar mediet që marrin fonde nga jashtë si

Ky legjislacion është publikuar të shtunën në internet, në faqen zyrtare për legjislacion në Rusi.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Komisionit Evropian për politikë të fqinjësisë së mirë dhe negociata për zgjerim, tha të dielën se “legjislacioni shkon kundër obligimeve dhe përkushtimeve të Rusisë për të drejtat e njeriut”.

Ajo më tutje theksoi se legjislacioni paraqet “kërcënim të mëtejshëm për media të lira dhe të pavarura dhe për qasje në informacion” dhe është “një tjetër përpjekje për ngushtimin e hapësirës për zëra të pavarur në Rusi”.

Ky legjislacion ka kaluar në Këshillin e Federatës Ruse, që është Dhoma e Epërme e Parlamentit, më 22 nëntor, me votim unanim, 154 për dhe asnjë votë kundër, me vetëm një abstenim.

Ky legjislacion është miratuar unanimisht në leximin e tretë dhe final edhe në Dhomën e Ulët, e njohur si Duma Shtetërore, më 15 nëntor.

Brenda disa orëve pas miratimit, Ministria e Drejtësisë e Rusisë u ka dërguar letra me vërejtje disa Redaksive të Radios Evropa e Lirë/Radio Liria (RFE/RL).

Në këto letra nuk specifikohet se çfarë kufizimesh potenciale mund të ketë, por ligjvënësit kanë thënë se mediet e klasifikuara mund të jenë subjekte të kërkesave për raportime të detajuara financiare dhe kërkesës për shënimin se materiali i publikuar vjen nga një agjent i jashtëm.

Radio Evropa e Lirë/Radio Liria ishte në mesin e medieve, të cilave u është tërhequr vërejtja nga zyrtarët rusë se mund të karakterizohen si “agjentë të jashtëm”, ndërsa në këtë listë përfshihen edhe Zëri i Amerikës, rrjeti CNN dhe transmetuesi ndërkombëtar publik gjerman, Deutsche Welle.

Në përgjigje të lajmit se Putin e ka nënshkruar këtë masë, duke e shndërruar në ligj, presidenti i Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Thomas Kent, tha se “nuk mund të spekulojmë në këtë kohë për efektin e ligjit të ri, pasi ende asnjë organizatë mediale nuk është karakterizuar në mënyrë specifike si agjent i jashtëm, ndërsa kufizimet që imponohen në agjentët e këtillë, nuk janë shpallur”.

“Ne mbesim të përkushtuar për ta vazhduar punën tonë gazetareske në interes të dhënies së lajmeve të vërteta dhe objektive për audiencat tona rusisht-folëse”, tha zoti Kent.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, pati thënë se ky legjislacion do të paraqesë “goditje serioze” për lirinë e mediave në Rusi, megjithëqë zyrtarët rusë kanë theksuar se ai nuk do të zbatohet për mediet vendëse.

Zyrtarët rusë kanë vlerësuar se ky legjislacion është “përgjigje simetrike” ndaj asaj që ata e kanë përshkruar si presion të Shteteve të Bashkuara ndaj medieve ruse.

Më 13 nëntor, njësia që vepron në Shtetet e Bashkuara, e kanalit televiziv RT, që financohet nga Qeveria e Rusisë, kompania e quajtur, T&R Productions LLC, është regjistruar në Shtetet e Bashkuara sipas një ligji të vjetër me dekada, i njohur me emrin, Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Jashtëm.

Departamenti i Srejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka kërkuar që kompania e afërt me rrjetin RT, të regjistrohet sipas këtij akti, pas gjetjeve të agjencive të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara në muajit janar, se rrjeti RT dhe agjencia e lajmeve ruse, Sputnik, kanë përhapur dezinformata, në kuadër të përpjekjeve të qeverisë së Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016.

John Lansing, shef ekzekutiv i Bordit të Guvernatorëve të Transmetimit të Shteteve të Bashkuara, në deklaratën e tij ka theksuar se “çfarëdo karakterizimi i hapave të këtillë si reciprocitet për aksionet e Shteteve të Bashkuara, në mënyrën më të rëndë e shtrembëron realitetin”.

“Mediet ruse, përfshirë RT dhe Sputnik, janë të lira të operojnë në Shtetet e Bashkuara dhe mund të jenë dhe janë të transmetuara nga televizionet kabllore në SHBA dhe radio stacionet FM”, tha Lansing duke shtuar se “megjithatë, medieve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, u ndalohettelevizioni dhe radioja në Rusi”.

Ai ka theksuar se “gazetarët tonë në detyrë janë të keqtrajtuar nga autoritetet ruse dhe ballafaqohen me kufizime të gjëra në punën e tyre”.

Gjatë vizitës që i bëri zyrës së Radios Evropa e Lirë/Radio Liria në Moskë, më 17 nëntor, ambasadori amerikan në Rusi, John Huntsman, tha se legjislacioni rus paraqet “shqetësim të madh” për Shtetet e Bashkuara dhe se “parimet e medieve të lira në secilën shoqëri të lirë dhe demokraci janë absolutisht kritike për forcim dhe mirëqenie”.