BE, FMN dhe Banka Botërore: Kërkojmë që të ratifikohen marrëveshjet financiare të negociuara për të tejkaluar krizën ekonomike

E publikuar: 20/05/2020 09:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra e Bashkimit Evropian, shefat e misioneve të BE-së, ambasadorët e Norvegjisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar, shefi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovën dhe ai Bankës Botërore, thonë se janë të vendosur të vazhdojnë të mbështesin Kosovën për tejkalimin e krizës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19.

Këta përfaqësues, me anë të një deklarate publike kërkojnë që të ratifikohen marrëveshjet financiare të negociuara me BE-në.

Po ashtu vlerësojnë se qeveria në detyrë dhe populli i Kosovës e kanë menaxhuar në mënyrë efektive krizën e COVID-19.

“Për më tepër, ne besojmë se në një kohë të pasigurisë së madhe, të gjithë akterët duhet të lënë mënjanë dallimet dhe të punojnë së bashku për të mirën e njerëzve. Ne mirëpresim mundësitë për të diskutuar bashkërisht për masat e nevojshme për të tejkaluar këtë sfidë të shkaktuar nga COVID-19, përfshirë ratifikimin e marrëveshjeve financiare të negociuara me BE-në, vendet e saj anëtare, institucionet e tjera ndërkombëtare financiare dhe masat kombëtare të adresuara për mbrojtjen e shëndetit dhe tejkalimin e krizës ekonomike”, thuhet në deklaratë, përcjell Telegrafi.

Këta pëfaqësues bëjnë thirrje, që t’i japin përparësi shëndetit të qytetarëve.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’i japin përparësi shëndetit të qytetarëve dhe të mirëpresin të gjitha mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rajonal që kanë për qëllim shpëtimin e jetës dhe mbrojtjen e qytetarëve nga pandemia. Lëvizja e lirë rajonale për furnizimet mjekësore dhe të personelit është thelbësore për suksesin e kësaj përpjekje”, përfundon deklarata, /Telegrafi/