BE dhe Kina synojnë përmirësimin e rregullave të tregtisë botërore

E publikuar: 25/06/2018 17:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Europa dhe Kina pritet të formojnë një grup, i cili synon të modernizojë rregullat e tregtisë botërore, për t’iu përshtatur politikës teknologjike, subvencioneve qeveritare, në përpjekje për të mbështetur tregtinë botërore.

Këto komente i bëri sot gjatë vizitës së tij në Pekin, nënpresidenti i Komisionit Europian Jyrki Katainen. Ai tha se veprimi i njëanshëm i Presidentit amerikan Donald Trump në tarifat e reja tregatre, politika teknologjike e Kinës dhe disa çështje të tjera, e bënë të nevojshme modernizimin e Organizatës Botërore të Tregtisë, për të pasqyryar zhvillimet e ekonomisë botërore.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se organizata me seli në Gjenevë, që shërben si rregullator për tregtinë botërore, është burokratike, e ngurtë dhe e ngadalshme në miratimin e ndryshimeve të biznesit botëror dhe se ka nevojë të ndryshojë.

Nënpresidenti i Komisionit Europian, tha se negociatat për ndryshimin e rregullave tregtare pritet të mos jenë të lehta, por ato janë të nevojshme për të mbrojtur mjedisin e tregtisë botërore.

Në fund të majit presidenti Trump shkaktoi zemërim tek vendet aleate, si BE-ja, Kanadaja dhe Meksika, me vendosjen e tarifave prej 25 përqindsh ndaj importeve të çelikut dhe 10 për qind ndaj atyre të aluminit, një veprim për të cilin ai tha se po e ndërmerrte për të mbrotjur sigurinë kombëtare të Amerikës, për të mos lejuar që ajo abuzohet nga vende të tjera.