BDI, e pavendosur për koalicion me Gruevskin

E publikuar: 14/12/2016 10:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shqiptarët do të kenë 20 ditë afat ligjor për të vendosur se me cilën parti maqedonase do ta krijojnë qeverinë e re. Aktualisht BDI-ja, si partia më e madhe shqiptare, edhe në këto zgjedhje nuk ka vendosur ende se a do ta pranojë ofertën e Nikolla Gruevskit për të krijuar qeverinë e re.
Madje zyrtarë nga kjo parti për gazetën “Zëri” kanë thënë se këto zgjedhje nuk kanë zgjidhur krizën politike, por vetëm sa kanë komplikuar edhe më tepër situatën. Sipas tyre, do të jetë shumë e vështirë edhe arritja e ndonjë marrëveshjeje në ditët në vijim.

“Kam përshtypjen se këto zgjedhje e komplikuan situatën edhe më tepër duke pamundësuar reformën sistemore dhe qeverisje të qëndrueshme e të sigurt e aq më pak zgjidhje të çështjeve të mëdha me të cilat ballafaqohet shteti”, ka thënë Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së.

Në anën tjetër analistët kanë thënë se partitë shqiptare duhet të merren vesh për një platformë të përbashkët nacionale për shqiptarët atje, në mënyrë që të mos bëhen vegël e maqedonasve. Ndërkohë të tjerë kanë thënë se koalicioni i mundshëm në mes të VMRO-DPMNE-së me BDI-në do të ishte jolegjitim.