Bayerni refuzon firmën me Gundogan

E publikuar: 02/06/2015 13:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dështon transferimi i Ilkay Gundogan te Bayern Munich. Sipas asaj që raporton gazeta gjermane Bild mefushori me orgjinë turke nuk do të transferohet te klubi nga Allianz Arena. Në këtë mënyrë ndizet drita jeshile për Barcelonën e cila është një prej skuadrave të tjera të interesuara për të marrë shërbimet e Gundogan. Kalimi i 24-vjecarit te bavarezët ishte shumë pranë por akordi mes palëve nuk u arrit për shkak se menaxherët e futbollistit u kërkuan drejtuesve të Bayernit një pagë vjetore shumë të lartë për klientin e tyre, plot 12 milionë Euro, një shifër e papranueshme kjo për kampionët e Gjermanisë.

Një tjetër arsye që transferimi i Gundogan te Bayerni nuk u realizua me sukses ka të bëjë me faktin se shefi ekzekutiv i bavarezëve, Karl Heinz-Rummenige dhe trajneri Pep Guardiola kishin dyshime përsa i përket rendimentit të futbollistit. Gundogan u rikthye të luante në Tetor të vitit të kaluar pas një dëmtimi që e mbajti jashtë fushave për plot 15 muaj dhe pavarësisht se është aktivizuar nga Klopp si titullar në pjesën më të madhe të këtij sezoni ende nuk ka shfaqur nivelin e tij më të mirë. Fillimisht Bayerni i ofroi mesfushorit të Kombëtares Gjermane një kontratë 3-vjecare me një pagë prej 8 milionë Eurosh por ajo u refuzua nga menaxherët e futbollistit. Për vetë faktin se 24-vjecarit i përfundon kontrata me Dortmundin në 2016-n, drejtuesit e Borussias kanë vendosur ta shesin atë këtë verë për të mos e humbur me parametër zero pas 1 viti. Për një shifër prej 30 milionë Eurosh Gundogan mund të largohet nga verdhezinjtë dhe me tërheqjen e Bayernit nga gara, e ardhmja e tij mund të jetë te Barcelona ose Manchester United.