Bayerni dhe Hamburgu në cerekfinalet e Kupës

E publikuar: 07/02/2017 23:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zërave që flasin për një largim të mundshëm të tij nga Bayerni në verë, Douglas Costa u përgjigjet me gol. Sulmuesi brazilian ishte heroi i bavarezëve në sfidën ndaj Wolfsburgut, me skuadrën e Ancelottit,që në Alianz Arena mposhti 1-0 ujqërit duke siguruar kualifikimin në cerekfinalet e Kupës së Gjermanisë. Ishte një sukses i vështirë ai i Bayern-it që erdhi falë një goli të Douglas Costës në minutën e 18-të. Goditja e ish lojtarit të Shakthar Donetsk nga distanca u devijua edhe nga Luiz Gustavo duke mos i dhënë asnjë shans portierit të Wolfsburgut, Casteels. Shumë raste deri në fund por asnjë gol me Bayernin që avancoi në ruandin e 8-të skuadrave më të mira të Kupës së Gjermanisë.

Në cerekfinalet e këtij kompeticioni u kualifikua edhe Hamburgu me Mërgim Mavrajn që fitoi duelin ndaj ish skuadrës së tij. Në Volkspark Stadion, Hamburgu mposhti me rezultatin 2-0 Kolnin. Ishte një ndeshje shumë pozitive për Mavrajn që u aktivizua gjatë gjithë 90 minutëshit duke mos gabuar asgjë në mbrojtje. Jung dhe Wood ishin autorët e golave për ekipin e Marcus Gisdol. Në cerekfinale u kualifikuan edhe Borussia Moenchengladbach dhe Arminia Bielefeld që mposhtën respektivisht në transfertë, Greuther Furth dhe Walldorf.