Bashkimi Evropian ndan 100 milionë euro për Shqipërinë

E publikuar: 17/02/2020 16:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Konferencën e Donatorëve që po mbahet në Bruksel, #Together4Albania (Të bashkuar për Shqipërinë), Komisioni Evropian ka vendosur të ndajë 100 milionë euro për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Kjo shumë i shtohet donacionit prej 15 milionë eurove që Komisioni i dha për Shqipërinë menjëherë pas tërmetit.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, tha se dëmet e tërmetit në Shqipëri shkojnë në shrifrën deri ne 1 miliard euro dhe se Shqipëria nuk mund të mbulojë e vetme këtë shifër, duke bërë thirrje të ofrohet ndihmë nga vendet tjera për rindërtimin e vendit.

“Nevojat vazhdojnë të jenë të mëdha dhe duhen përballuar me urgjencë. Kostot e rindërtimit janë vlerësuar rreth 1 miliard euro dhe është e qartë që Shqipëria nuk e përballon dot këtë barrë e vetme”, tha Von der Leyen.

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në fjalën e mbajtur gjatë kësaj konference u kërkoi ndihmë të gjitha vendeve të ndihmojnë Shqipërinë.

“Ju lutem na ndihmoni ndërsa përpiqemi të rimarrin veten nga dëmet”, tha ai duke falendëruar shumë shtete në gjuhën e tyre për ndihmën e dhënë menjëherë pas tërmetit. Rama, ndër tjerash tha se Shqipëria pësoi edhe një “tërmet politik” kur nuk i hapi negociatat për anëtarësim ne Bashkimin Evropian, dhe shtoi se do të donte të shihte flamurin e Shqipërisë në vend të atij të Britanisë së Madhe.

Ai megjithatë shtoi se është i inkurajuar nga metodologjia e re e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Shqiperia synon që gjatë kesaj konference të mbledhë se paku 350 milionë euro, përmes investimeve, kredive të buta dhe ndihmës direkte në rindërtimin e vendeve të prekura.

Tërmeti me magnitudë 6.3 ballë të Rihterit, i cili ka goditur Shqipërinë më 26 nëntor, ka qenë më i fuqishmi që ka goditur këtë vend gjatë dekadave të fundit dhe për pasojë ka lënë 51 persona të vdekur, qindra të lënduar dhe mijëra persona të pastrehë, si pasojë e shembjeve, dëmtimeve serioze dhe rrezikshmërisë që paraqesin vendbanimet e tyre.

*Video nga arkivi: Dyzetetetë orët e tërmetit