“Bashkë për Gjakovën”, koalicioni në mbështetje për Kusari-Lila

E publikuar: 15/11/2017 14:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Bashkë për Gjakovën” është koalicioni i sapozyrtarizuar në Gjakovë në mes të Alternativës, Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së dhe AKR-se për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 19 nëntorit.

Me këtë rast, përmes një konference për media, kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës bashkë me kryetarët e degëve të këtyre partive, në adresimin e tyre kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në katër vitet e ardhshme në bashkëqeverisje, në mënyrë që Komuna e Gjakovës të vazhdojë rrugëtimin e zhvillimit në të mirë të gjithë banorëve dhe qytetarëve të saj.

Kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se ky bashkim i shërben të ardhmes së Gjakovës për katër vitet e ardhshme, përmes objektivave tona të përbashkëta programore si forca progresive politike në Komunën e Gjakovës.

Nga ana tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Çaushi, ka deklaruar se jemi para një date të rëndësishme të Komunës së Gjakovës, e cila ditë është një udhëkryq në mes të një qeverisje potenciale dhe një rreziku tjetër që duhet në cdo kusht të parandalohet.

Edhe kryetari i Degës së LDK-së në Gjakovë, Luan Gola, ka konfirmuar përkrahjen për kryetaren Mimoza Kusari Lila, duke thënë se me bashkimin e këtyre subjekteve, qytetarëve të Komunës së Gjakovës iu ofrohet një qeverisje edhe më e mirë për katër vitet e ardhshme.

Ndërsa, kryetari i Degës së AKR-së në Gjakovë, Edmond Dushi, ka vlerësuar se me Alternativën si subjekt liberal mund të kontribuojnë edhe në realizimin e pikave programore të AKR-së.

Kryetarja Mimoza Kusari Lila dhe koalicioni “Bashkë për Gjakovën”, njëzëri u kanë bërë thirrje qytetarëve të Komunës së Gjakovës, që në mënyrë masive të dalin në zgjedhjet e 19 nëntorit.

Të kujtojmë se në Gjakovë përballë njëri tjetrit garojnë në balotazh Mimoza Kusari – Lila e Alternativës dhe Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.