Bashkatdhetarët të pa kënaqur me trajtimin që nga hyrja te kufijtë

E publikuar: 23/07/2016 16:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë jashtë vendit, e të cilët pushimet po i kalojnë në Kosovë, shprehen të pakënaqur me trajtimin që atyre u bëhet që nga momenti kur hyjnë në kufi të Kosovës.

Ata thonë se gjithçka nis nga paratë që u merr Polica e sigurimit kufitarë, e deri tek trajtimet tjera që atyre u bëjnë institucionet e Kosovës.

Mërgimtarët thonë se përveç se detyrohen të paguajnë për Policat, për çka nuk ka askush informatë se ku shkojnë ato para, ata thonë se nuk kanë kurrfarë trajtimi në kufi, ku edhe rendet e gjata janë tepër të mërzitshme dhe shpenzuese.

Ata kërkojnë që tarifat e këtyre policave të hiqen tërësisht, ani pse ato këtë vit janë diku 50% më të lira.

Azem Mehmeti, i cili ka ardhur nga Vjena e Austrisë, thotë se paguajnë për diçka që në të vërtetë nuk është as sigurim

“Kam paguar policen e sigurimit 35 euro për dy muaj. Përpara ka qenë 110 euro, sepse unë kam ardhur rregullisht për dy muaj. Mua më duket diçka absurde të paguhet një sigurim i cili faktikisht i cili nuk është sigurim. Mendimi i diasporës është që kjo duhet me u hekë tërësisht. Po të ishin këto të holla që shkojnë në një zhvillim të Kosovës, do t’i jepnin jo aq por edhe më shumë. Por nëse këto shkojnë në xhepa të siguruesve, në xhepa personal të individëve të caktuar dhe s’ka kurrfarë kontrolle ku janë , ku investohen këto, unë jam kundër kësaj”, tha ai.

Edhe Arben Krasniqi, i cili ka ardhur nga Zvicra për pushime në Kosovë, thotë se brengosëse për të mbetet trajtimi që po u bëhet, e jo shuma e parave që iu merret në kufi, për të cilat thotë se nuk e di se ku shkojnë.

“ Paguajmë për një muaj tash është 15 euro. Nuk është shuma e të hollave që na brengos neve. Ndoshta shpenzojmë tjetër kah edhe më shumë, por është trajtimi. Pse trajtohemi kështu kur dihet që diaspora ka dhënë kontribut të madh për Kosovën. Pak me qenë simbolike me na trajtua që mos me na u lyp ai tatimi për ne”, tha ai.

Ndërsa, Sali Bislimi, i cili jeton në Zvicër, thotë se detyrimi për të paguar si të arrijnë në kufi me Kosovën, është një ndjenjë jo e këndshme për ta.

“Kam paguar 20 euro. Kjo formë e policës së sigurimit, po e ngatërron dhe pritjen në kufi. Është një ndjenjë jo  shumë e kënaqshme për neve, të cilët udhëtojmë me familje. Kemi paguar çdo herë, sepse jemi të obliguar. Sikur të ishte ndonjë formë më e lehtë besoj se do të ishte dhe më mirë. Nuk është ndonjë çmim që neve na destabilizon, por çështja është se ngadalësimi dhe hyrja në Kosovë, kur pret njeriu tetë apo nëntë orë në kufi të Kosovës, të jep një përshtypje shumë të keqe”, thotë

Nga ana tjetër, Rrahim Pacolli, drejtor i Përgjithshëm i kompanisë së sigurimeve “Siguria”, i ka bërë apel publik Qeverisë, kryeministrit të Kosovës dhe kryeparlamentarit,  që me një Vendim të Qeverisë, të hiqet pagesa për Policat Kufitare, duke filluar nga  një gushti i këtij viti dhe Qeveria të marrë përsipër barrën e pagesës së dëmeve që shkaktohen nga këto vetura.

Pacolli për KosovaPress ka pohuar se heqja e pagesës për Policën Kufitare, do të jetë një lehtësim shumë i madh për diasporën tonë, të cilët konsiderohen si kontribuuesit më të mëdhenj të zhvillimit të shtetit të Kosovës, qoftë përmes investimeve të ndryshme, remitencave apo formave të ndryshme të mbushjes së buxhetit.

“Në mesin e bashkatdhetarëve tanë, ka shumë të rinj të cilët kanë lindur dhe janë rritur në shtetet perëndimore , të cilët po hezitojnë të vizitojnë Kosovën, për shkak të ngarkesave dhe procedurave burokratike që në hyrje të saj. Interesi i bashkatdhetarëve për të ardhur në Kosovë çdo vit, po zbehet shumë e më shumë, sepse një pjesë e tyre po zgjedhin destinacione tjera për të kryer pushimet , pikërisht për të shmangur këto procedura dhe humbje kohe,  duke pritur në kolona të gjata me orë të tëra dhe kjo nuk është në interesin tonë kombëtar”, ka thënë Pacolli.

Ai thotë se nëse merret vendimi për heqje të pagesës për Policë Kufitare, kjo do të ndikonte pozitivisht në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Byrove dhe Kartonin e Gjelbër dhe se përfitimet e Qeverisë nga heqja e kësaj pagese, do të jenë shumë më të mëdha në krahasim me humbjet.

“Me heqjen e pagesës së Policës Kufitare automatikisht do të rritet numri i bashkatdhetarëve që do të vijnë në Kosovë dhe në këtë mënyrë buxheti i Kosovës brenda kësaj periudhe do të rritet për rreth 100 milion Euro, nga të cilat përfituesi më i madh është buxheti i Kosovës i cili mbushet nga TVSH-ja dhe tatimet tjera nga këto shpenzime të tyre, ndërkohe që të gjitha dëmet brenda vitit nga bashkatdhetarët tanë nuk e kalojnë 1.5 milion euro”, ka thënë ai.