Basha – Vuçiqit: Shpresoj të mos jetë larg njohja e Kosovës

E publikuar: 27/05/2015 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha priti pasditen e sotme në një takim kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe delegacionin që e shoqëron. Basha i uroi mirëseardhjen në Tiranë kryeministrit Vuçiq ndërsa vlerësoi se kjo vizitë është një hap përpara në intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Lideri i opozitës shprehu angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mundësive për një jetë më të mirë për qytetarët shqiptarë dhe serbë.

Shqipëria dhe shqiptarët, tha Basha, nuk kanë dallime politike kur vjen fjala tek dëshira për të pasur marrëdhënie sa më normale bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë të cilat do të jenë një impuls zhvillimi për dy vendet.

Bashkëpunimi, tha ai, kërkon vullnet të dyanshëm ndërsa shprehu bindjen se është koha për të lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar të ardhmen.

Është koha, tha Basha, të shohim ç’mund të bëjmë në interes të qytetarëve tanë dhe të ardhmes tonë. Qytetarët tanë presin lidership të vërtetë europian, tejkalim të problemeve të së kaluarës dhe punë të përbashkët për zhvill im ekonomik, punësim dhe mirëqënie.

Ne duhet të punojmë me përkushtim për hartimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe ekonomike theksoi kryetari Basha, duke mirëpritur angazhimin për të avancuar projektin e nisur 6 vite më parë nga ministrat e brendshëm asokohe (Basha dhe Daçiç) për të hequr pengesat kufitare, dhe për të mundësuar levizjen e lirë mes dy vendeve. Kjo do ta bënte më të lehtë shkëmbimin e mallrave, njerëzve dhe kapitalit dhe do të shërbente për rritjen e investimeve dhe punësimin e qytetarëve në të dy vendet. Basha mirëpriti edhe angazhimin e kryeministrit Vuçiq për projektin e autostradës Durrës- Kukës-Prishtinë- Merdare- Nish. “Për ne Kosova e pavarur është një realitet që nuk drejtohet kundër serbëve dhe Serbisë , por një zgjidhje përfundimtare e krizës së shkaktuar në rajo n pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike ka vlerësuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ka nxitur intensifikimin e këtij dialogu në funksion të zgjidhjeve dhe lehtësirave të prekshme për qytetarët e dy vendeve.

“Unë shpresoj që dita kur lidershipi serb të njohë pavarësinë e Kosovës të mos jetë e largët, pasi ky është interesi më i mirë për të dy vendet dhe rruga e vetme për të garantuar paqe, siguri, mirëqënie dhe zhvillim për të gjithë rajonin”, theksoi Basha.

Duke u ndalur tek situata në Luginën e Preshevës, Basha i kërkoi kryeministrit Vuçiq një vëmendje më të madhe nga ana e qeverisë serbe, si për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor të kësaj zone, por dhe rritjes së shanseve për punësim dhe arsimim. Basha ka kërkuar nga kryeministri serb edhe zbatimin e marrëveshjes për tekstet shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës.