Basha: Krenar që ndaluam copëtimin e Kosovës

E publikuar: 21/07/2020 14:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për kryetarin e Partisë Demokratike dhe kreun e opozitës së bashkuar në Shqipëri, Lulzim Basha, kryeqyteti i kombit shqiptar është Mitrovica. Madje për këtë qytet, ai premtoi se qeveria e ardhshme në Shqipëri do të ketë vëmendje të veçantë.

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Basha sot u prit nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri.

Lideri i Partisë Demokratike në Shqipëri tha se është kënaqësi të jetë në qytetin që sipas tij, udhëheqësi Agim Bahtiri me qëndrimin e tij ka ndaluar copëtimin e komunës.

“Sot mund ta them me gojën plot që kryeqyteti i kombit është Mitrovica. Dua t’ju falënderoj në radhë të parë për dimensionin kombëtar të qëndresës suaj ndërmjet banorëve dhe qytetarëve të Mitrovicës kundër copëtimit të Kosovës, plan i cili do të niste me copëtimin e qytetit dhe komunës së Mitrovicës. Qëndrimi juaj i qartë dhe i prerë gjithë këto vite në emër të qytetarëve që iu kanë besuar me të drejtë drejtimin e qytetit të tyre ka qenë një vlerë e jashtëzakonshme për të përcjellë vullnetin e vërtetë të njerëzve si një faktor i pazëvendësueshëm në vendimmarrjet e këtij lloji”, ka thënë Basha.

Ndër të tjera, Basha tha se është krenar se si kryetar i Partisë Demokratike në Shqipëri i është bashkangjitur qëndrimit kundër copëtimit të Kosovës, ruajtjes së tërësisë territoriale.

Udhëheqësi i Mitrovicës, Agim Bahtiri tha se Basha është një mik i çmuar për të, madje ai tha se pret që herën e ardhshme ky i fundit ta vizitojë si kryeministër.

“Kësaj radhe e kam pritur si kryetar partie, po vitin qe vjen do e pres si kryeministër i vendit. Për arsye se këtij vendi, këtij populli dhe këtij kombi në përgjithësi i duhet një njeri i cili me të vërtetë ia vlen të jetë shërbëtor i qytetarëve sepse jemi lodhur nga njerëzit të cilët janë bëre si gjarpërinj të tërbuar që e shtrydh këtë popull, e shtrëngon këtë popull. Dhe ky popull duhet të lirohet nga ata njerëz”, ka shtuar ai.

Pas takimit me Bahtirin, Lulzim Basha ka premtuar heqjen e taksës për qytetarët e Kosovës në “Rrugën e Kombit”, dhe raporte të mira me Kosovën në fushën e diplomacisë.

Lideri i opozitës së bashkuar, Lulzim Basha shprehi mirënjohje edhe për kthimin e Isa Boletinit në Boletin në vitin 2015. /Sh.Pajaziti