Bartja milionëshe buxhetore shkon për investimet kapitale në kryeqytet

E publikuar: 02/04/2015 09:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Afro 15 milionë euro të bartura nga viti 2014 Komuna e Prishtinës do t`i shpenzojë për investime kapitale. Nga viti i mëparshëm buxhetor janë bartur afro 18 milionë euro. Bartja e këtyre mjeteve është bërë praktikë në Komunën e Prishtinës nga viti në vit, ndonëse kritikohet mjaft nga njohësit e ekonomisë.
Planifikimi për bartjen e mjeteve pritet t’i paraqitet Kuvendin Komunal në mbledhjen e radhës, që pritet të mbahet javën e ardhshme. Sipas dokumentit për bartjen e mjeteve të pashpenzuara buxhetore, disa projekte nga buxheti i vitit 2014 nuk janë realizuar, prandaj mjetet e planifikuara do të shpërndahen në projekte të tjera ekzistuese, sipas obligimeve kontraktuese, kurse pjesa tjetër do të shkojë në projektet e reja.

Përfaqësuesit opozitarë në KK të Prishtinës, ndërkaq, e kanë kritikuar qeverisjen komunale për raportin e paraqitur, pasi që, sipas tyre, në shumë raste nuk është specifikuar se ku dhe si do të shpenzohen mjetet. Po ashtu, kanë bërë vërejtje edhe për mosmenaxhim të duhur të buxhetit të vitit të shkuar.

“Nga 63 projekte në infrastrukturë, vetëm 29 janë përfunduar vitin e kaluar”, ka thënë shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në KK, Sami Hamiti. Madje sipas tij, nga ato 29 projekte, 24 sish janë të planifikuara nga ish-qeverisja.

Në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së, Muhamet Selmani, ka thënë se janë të pakënaqur. “Bazuar në raportet e deritanishme shihet se menaxhmenti aktual është në shkallën më të dobët të realizimit dhe të inkasimit të buxhetit”, ka thënë Selmani dhe ka shtuar se edhe në vija të trasha raporti flet për paaftësi të stafit menaxhues”, ka thënë ai për të shtruar se më shumë zhgënjyese mbeten shpenzimet kapitale.

Kjo, sepse, sipas tij, nga mbi 38 milionë sa ishin paraparë për këto investime janë shpenzuar vetëm 16.9 milionë apo rreth 46% të këtyre mjeteve. Ai e ka akuzuar komunën edhe për humbjen e 1.6 milion eurove të grantit qeveritar, “kurse kërkon nga qeveria që të rritet ky grant”. Dështimin më të madh Selmani e vëren tek të hyrat vetjake.

“Nga viti 2013 janë bartur në vitin 2014 mbi 14.6 milionë euro, ndërsa nga këto mjete kanë mbetur pa u shpenzuar mbi 8.7 milionë”, ka vijuar ai. Dështimin tjetër Selmani e vëren tek realizmi i buxhetit për investime kapitale nga të hyrat vetjake. “Komuna kishte planifikuar 13.9 milionë euro, ndërsa ka realizuar vetëm 3.6 milionë.

Shprehur në përqindje, komuna nga të hyrat vetjake për investimet kapitale ka shfrytëzuar buxhetin vetëm 24.5 për qind, apo shkallën më të ulët të mundshme”, është shprehur ai. Selmani duke bërë edhe disa vërejtje shpotit duke thënë se “në fund të mandatit të këtij menaxhmenti, bartja e buxhetit për vitin 2018, do të jetë rreth 100 milionë euro”.

Vërejtje për shpenzimin e buxhetit të vitit të kaluar ka bërë edhe organizata joqeveritare INPO. Sipas raportit të saj, nga granti qeveritar, Komuna duhet t’i kthejë në qeveri 1 milion e 764 mijë e 343 euro.