Barcelona në krizë lojtarësh, mbrojtja nën akuzë

E publikuar: 04/10/2015 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

6 ndeshje gjatë këtij sezoni ku Barcelona nuk ka arritur t’i kryejë të treja zëvendësimet. Një konstatim që pasqyron situatën disi alarmante në stolin e skuadrës katalanase e cila vuan nga dëmtimet dhe mungesa e merkatos të bllokuar nga FIFA deri në vitin 2016. Në transfertën e Sevillas, Luis Enrique kreu vetëm dy zëvendësime duke mos arritur të fusë në fushë 3 lojtarë të freskët pasi organika që ka në dispozicion nuk premton cilësi për të fituar transferta të vështira si ajo e “Sanchez Pizjuan”. Një situatë e tillë është përsëritur edhe ndaj Celtas, Levantes, Romës, Atleticos së Madridit e Athletic Bilbaos. Aktualisht, Messi, Iniesta, Rafinha, Vermaelen dhe Adriano po qëndrojnë në infermieri dhe kjo i heq mundësinë trajnerit të hedhë në fushë një skuadër me parametra të lartë teknikë ç’ka po duket qartë edhe në rezultatet e ekipit.

Por përveç çështjes së dëmtimeve, mediat katalanase futen më në detaje duke analizuar paraqitjen e repartit të tërhequr. “Sport.Es” shkruan se në total Barcelona ka pësuar 9 gola në 7 ndeshjet e para të kampionatit ku Claudio Bravo dhe Ter Stegen kanë pësuar të dy nga një humbje. Gjithsesi, kjo e përditshme shton se mesatarja e golave të pësuar nga kiliani është më e ulët, ndërsa gjermani nuk ofron siguri për portën. Sport.Es shton se problemi më i madh mbetet mbrojtja e Barcelonës ku të gjithë lojtarët duhen vendosur në bankën e të akuzuarve. “Mbrojtja nuk është vetëm portieri por të gjithë lojtarët e repartit të tërhequr dhe në këtë rast të gjithë janë përgjegjës”, u shpreh Luis Enrique pas ndeshjes kundër Las Palmas, duke e drejtuar gishtin e akuzës ndaj këtij reparti që mesa duket nuk arriti t’i korrigjonte gabimet as në transfertën delikate të Sevillas ku pësoi humbjen e dytë sezonale./ss/