Barcelona kërcënon Juven: Në “Camp Nou”, vetëm goleada

E publikuar: 18/04/2017 10:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fushata për përmbysjen e radhës ka filluar. Pas deklaratave të Luis Enrique – “Kundër Juventus-it e kemi më të lehtë se me PSG”; “Mund t’i shënojmë gjashtë gola kujtdo” – dhe të lojtarëve “blaugrana”, nga Pique te Iniesta dhe Suarez, edhe klubi katalanas, nëpërmjet profilit zyrtar në Twitter, i ka dhënë një mesazh bardhezinjve në prag të ndeshjes së kthimit të çerekfinaleve të Champions League që do të luhet të mërkurën në mbrëmje.

“7-0, 4-0, 4-0 dhe 6-1: rezultatet e arritura në Champions League na bëjnë të ndihemi shumë optimistë”. Hipoteza e “remuntada”-s mbështetet nga i gjithë populli “blaugrana”, me shpresën se, ashtu siç ndodhi ndaj PSG, edhe bardhezinjtë do të zbresin në “Camp Nou” të bllokuar dhe të frikësuar.

Pothuajse 100.000 tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium, bashkë me traditën e favorshme në ndeshjet e luajtura në shtëpi, do të jenë në krah të Barcelona-s.

Me pak fjalë, do të jetë një atmosferë e zjarrtë që gjithsesi mund ta ndihmojë skuadrën e Allegri-t të jetë më e bashkuar dhe t’i japë fund goleadave të Messi-t me shokë.