Barça, Messi do të operohet të Martën

E publikuar: 08/02/2016 20:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lionel Messi do t’i drejtohet sallës së operacionit këtë të Martë, por këtë herë jo për t’u kuruar nga ndonjë dëmtim i mundshëm, por për të shmangur problemet me veshkat që e kanë shqetësuar jo pak argjentinasin gjatë muajve të fundit.

Lajmi publikohet nga mediat spanjolle më konkretisht gazeta “El Mundo Deportivo”. Sipas të përditshmes katalanase, kjo është arsyeja që Messi nuk u stërvit me pjesën tjetër të grupit këtë Hënë, madje lojtari ka marrë dy ditë pushim me leje të klubit. Parditen e të Hënës, 28-vjecari i Barcës iu nënshtrua disa kontrollove mjekësore, të cilat përcaktuan se ai ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale, pasi është diagnostikuar me gurë në veshka. Gjithsesi nuk bëhet fjalë për një problem serioz dhe argjentinasi pritet t’i bashkohet Barcelonës në stërvitje ditën e Enjte vetëm pak orë pasi skuadra blaugrana të jetë kthyer nga transferta e Valencias.

Është e sigurtë ndërkohë mungesa e Messit në sfidën e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Mbretit që do të luhet në stadiumin “Mestalla” mes Valencias dhe Barcelonës. Problemet me gurët në veshka nuk janë risi për Leo Messin pasi ishin pikërisht këto të fundit shkaku që argjentinasi humbi sfidën gjysmëfinale të Botërorit të klubeve ndaj kinezëve të Guangzhou Evergrande.