Baraliu: Shteti të ndalë veprimet e Listës Serbe

E publikuar: 01/06/2019 18:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore (Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut) po vazhdojnë avazin e vjetër, duke mos pranuar të betohen para flamurit dhe para simboleve të Republikës së Kosovës. Veprimet e tilla të Listës Serbe pritet që ta “bllokojnë” përsëri situatën në veri të vendit.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka thënë që Qeveria e Kosovës duhet të ndalojë një herë e mirë politikën e dëmshme të Listës Serbe në Kosovë. Në të kundërtën, sipas tij, avazi i vjetër i kësaj partie do të rikthehet.

“Ky avaz i vjetër i Listës Serbe qartazi nënkupton veprimet e pandërprera të dëmshme të kësaj partie, e cila asgjë nuk bën pa qenë e konsultuar me Beogradin dhe për më keq ata veçse kishin paralajmëruar me kohë lojën e tyre me Republikën e Kosovës dhe me institucionet e saj. Ata kishin thënë se në momentin e shpalljes së zgjedhjeve në këto komuna ata do të dëshmojnë që fitojnë, por nuk do ta marrin mandatin e fituar. Pra është një veprim i paramenduar dhe Qeveria ka përgjegjësi ndër të tjera, sepse ka heshtur në aktin e dorëheqjeve të tyre”, ka thënë ai.

Ai madje konsideron se edhe Bashkimi Evropian, por në veçanti Qeveria e Kosovës duhet të veprojnë e të mos qëndrojnë të heshtur karshi politikave të Beogradit.

“Qeveria, por edhe KQZ-ja kanë heshtur në mënyrë të çuditshme dhe kanë lejuar të kandidohen kandidatët e njëjtë dhe të certifikohen të njëjtit. Ky është një akt që do të duhej të ndërpritej edhe nga BE-ja, por edhe nga institucionet vendore. Përmes rrugëve ligjore dhe demokratike duhet të ndalen veprimet e tilla të dëmshme të kryetarëve të komunave veriore”, ka potencuar ai./Zeri/